Ministri gjerman: Rastet me Covid të gjatë, ende në rritje
2024-09-19 14:18:28

Foto nga VCG

Një numër në rritje njerëzish po vuajnë nga simptomat e Covid-it të gjatë, një gjendje kronike që shfaqet pas infeksionit SARS-CoV-2 dhe është e pranishme për të paktën tre muaj, edhe pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, paralajmëroi se njerëzit ende po sëmuren, edhe pse vëmendja e publikut ndaj Covid-19 është zbehur, citon “ATSH”.

Deklarata e tij u bë gjatë një takimi me ekspertë mjekësorë dhe shkencorë mbi Covid-in e gjatë.

“Miliona njerëz do të infektohen sërish me Covid këtë dimër”,- tha Lauterbach, duke shtuar se disa prej tyre do të preken nga Covid-i i gjatë. Ky i fundit iu referohet simptomave që vazhdojnë përtej fazës akute të sëmundjes ose që rishfaqen.

Simptomat, disa prej të cilave janë të rënda, mund të shfaqen individualisht ose të kombinuara. Simptomat më të zakonshme përfshijnë lodhjen dhe rraskapitjen e rëndë dhe të vazhdueshme.

Simptoma të tjera përfshijnë probleme me mushkëritë dhe frymëmarrjen, dhembje koke, vështirësi në përqendrim dhe probleme me kujtesën.

Sipas Lauterbach, perspektiva për një kurë aktualisht është e ulët. (Elona)