foto nga CFP
Një gjykatë e Bashkimit Europian në Luksemburg ka anuluar një gjobë antitrust prej gati 1.5 miliardë eurosh për “Google”.
Gjyqtarët vendosën se Komisioni Europian nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme që “Google” kishte abuzuar me pozitën e tij dominuese në reklamat e motorëve të kërkimit me produktin e tij “AdSense for Search”, shkruan “ATSH”.
Në vitin 2019, Mbikëqyrësi i Konkurrencës me bazë në Bruksel arriti në përfundimin se “Google” kishte shkelur ligjin e BE-së për konkurrencën dhe vendosi një gjobë prej 1.49 miliardë eurosh.
“Google” apeloi në Gjykatën e Përgjithshme të Bashkimit Europian për anulimin e dënimit. Vendimi i fundit mund të apelohet ende në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, gjykata më e lartë e BE-së. (Elona)