Edi Rama (Foto RTSH)
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se në vend do të ndërtohet një kompleks i madh qeveritar, i cili do të shërbejë për akomodimin e një sërë institucionesh.
Në çeljen e konkursit ndërkombëtar, ku 10 studio prestigjioze paraqesin përpara jurisë projekt-idetë e tyre për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike, Rama theksoi se godinat publike janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre, citon “RTSH”.
“Jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë arkitekturore, por paraqesin probleme të vazhdueshme mirëmbajtjeje. Arkitektët janë thirrur të na ofrojnë idetë dhe projektet e tyre për të na dhënë mundësinë që të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh. Edhe një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione, që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre”, - u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se i gjithë procesi do të bëhet në bashkëpunim me Korporatën Shqiptare të Investimeve. Shteti nuk do t’i dorëzojë këto godina te privati, shtoi ai, por do të ketë përfaqësimin e vet për të nxjerrë të ardhura, që do të shkojnë në buxhetin e shtetit. (Elona)