Presidenti iranian Masoud Pezeshkian (Foto ATSH)
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, akuzoi Izraelin se po përpiqet ta tërheqë Iranin në një luftë rajonale, ndërsa vuri në dukje vrasjen e një anëtari kryesor të lëvizjes islamike palestineze Hamas, Ismail Haniyeh, në Teheran më shumë se gjashtë javë më parë, shkruan “ATSH”.
“Izraeli po përpiqet të na ngatërrojë në një luftë rajonale me vrasjen e Haniyeh. Ne kemi të drejtën të mbrohemi”,- tha presidenti iranian gjatë një konference shtypi.
Haniyeh, kryetar i Byrosë Politike të Hamasit, u vra në Teheran më 31 korrik. Izraeli as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar rolin e tij në vdekjen e Haniyeh.
Presidenti Pezeshkian theksoi gjithashtu se Irani nuk po kërkon armë bërthamore, duke mbrojtur programin raketor të vendit të tij.
“Nëse nuk kemi raketa, Izraeli mund të na bombardojnë në çdo kohë, ashtu si Gazën. Ne nuk do të heqim dorë nga aftësitë tona mbrojtëse. Një nga synimet e politikës së jashtme të qeverisë iraniane është afrimi me Perëndimin”,- tha ai.
I pyetur nga një gazetar nëse do të takohet me presidentin e ri të SHBA-së pas zgjedhjeve të nëntorit, Pezeshkian tha se një takim i drejtpërdrejtë kërkon mbajtjen e premtimeve.
Irani mbështet grupet armiqësore ndaj Izraelit, duke përfshirë Hamasin dhe milicinë shiite libaneze Hezbollah.
Pezeshkian u zgjodh president në korrik pas vdekjes aksidentale të paraardhësit të tij Ebrahim Raisi.
Gjatë fushatës zgjedhore, Pezeshkian, i parë si një konservator i moderuar, premtoi reforma duke përfshirë të drejtat civile. Megjithatë, deri më tani qeveria e tij nuk ka prezantuar politika shumë të ndryshme, dhe në Iran, pushtetin kryesor e mban udhëheqësi suprem ajatollahu Ali Khamenei. (Elona)