Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet takimi ndërkombëtar “MED24”, promovim i dialogut ndërfetar
2024-09-18 14:12:45

MED 24 (Foto ATSH)

Për herë të parë në Shqipëri po zhvillohet në Tiranë takimi ndërkombëtar “MED24”, një ngjarje e madhe që sjell së bashku të rinj dhe peshkopë nga mbi 25 vende të Mesdheut dhe Detit të Zi.

Ky aktivitet, që do të zgjasë një javë, synon të promovojë dialogun ndërfetar, paqen dhe solidaritetin në një rajon të përballur me sfida të mëdha sociale dhe politike, shkruan “ATSH”.

Shqipëria, si vend i njohur për harmoninë fetare dhe bashkëjetesën paqësore mes feve të ndryshme, është zgjedhur për të pritur këtë event historik, duke ofruar një model unik për bashkëpunim dhe mirëkuptim ndërkulturor.

Imzot Arjan Dodaj, në fjalën e tij, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për këtë nismë ndërkombëtare të rëndësishme, si dhe u ndal në misionin kryesor të këtij takimi të 50 të rinjve.

““Shtegtarë të shpresës, ndërtues të paqes”, kjo është tema që do të na shoqërojë në këto ditë. Takimi zhvillohet pak muaj nga hapja solemne e Jubileut, nga ku takimi ynë merr edhe frymëzimin e parë”,- tha imzot Dodaj.

Takimi i “MED24” ka për qëllim të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet të rinjve dhe ipeshkvijve nga rajoni i Mesdheut për të adresuar sfidat dhe mundësitë e përbashkëta në krijimin një kulture solidare, që promovon paqe dhe shpresë.

Të rinjtë e “MED24” vijnë nga vende të ndryshme, si: Maroku, Algjeria, Tunizia, Egjipti, disa vende të Lindjes së Mesme, Turqia, Armenia, Gjeorgjia, Rumania, Greqia, Kroacia, Kosova, Malta, Franca, Italia, Spanja dhe Shqipëria. Ata i përkasin besimeve të ndryshme fetare.

Me mbështetjen e papa Françeskut, ky takim synon të ndërtojë ura të reja dialogu dhe solidariteti ndërmjet popujve të rajonit. (Elona)