Foto nga ATSH
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në konferencën e 3-të rajonale të “Balkanomics”, që u zhvillua në Tiranë.
Duke marrë fjalën në këtë takim, ministri Gonxhja foli mbi vizionin e qeverisë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimin në Bashkimin Europian.
“Diskutuam mbi rëndësinë e reformave administrative dhe ekonomike, duke nënvizuar rolin e ekonomisë së gjelbër, si një shtyllë kyçe për të ardhmen”,- tha ministri, citon “ATSH”.
Fokus të veçantë në këtë takim morën edhe disa strategji të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit shtet-privat.
“Po ashtu u diskutua mbi disa strategji të rëndësishme që kanë për qëllim krijimin e sinergjive mes qeverisë dhe sektorit privat”,- theksoi Gonxhja.
“Balkanomics” bëri bashkë liderë dhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvojat e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e rrjeteve dhe strategjive për zhvillimin ekonomik. (Elona)