Bankomat (Foto Durres Lajm)
Banka e Shqipërisë vlerëson se turizmi ka ndikuar edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar pozitivisht në zhvillimin e sektorit financiar të sektorit bankar. Nga ana tjetër, kreditimi ka ndikuar gjithashtu në zhvillimin e sektorit të turizmit çka tregon një bashkërendim të mirë të roleve. Në analizën e raportit 6 mujor për stabilitetin financiar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se ka një rritje të mirë të kreditimit dhe të depozitave në bankat e nivelit të dytë.
“Këshilli Mbikqyrës mori në analizë raportin 6 mujor për stabilitetin financiar dhe për informacionin që marrim lidhur me situatën e rreziqeve dhe zhvillimeve në sektorin financiar dhe sektorin bankar në Republikën e Shqipërisë. Lajmi i mirë është që situata në sektorin financiar, vecanërisht në sektorin bankar ka një rritje të mirë të kreditimit dhe të depozitave, pra kreditë dhe depozitat kanë ardhur në rritje. Kredia me probleme ka ardhur në rënie, ka qëndruar në nivele rreth 4.6 apo 4.7 % dhe në aspektin e deeurozimit kreditimi në lekë ka pasur rritje të mirë. “- tha Sejko.
Rritje ka edhe kreditimi në lekë.
“Ne kemi pasur një rritje të kredisë me bazë vjetore në nivelin e 15 % dhe brenda kësaj rritje, vetëm kredia në lekë është rritur në nivelin e 20 për qind. Kjo rritje ka qenë e njëtrajtshme si për individët ashtu edhe për bizneset. Normalisht në raportin e stabiliteti financiar merren në analizë rreziqet me të cilat përballet sektori bankar dhe sektori financiar. Rreziku kryesor që përballet sektori financiar dhe sektori bankar është rreziku i kredisë, i cili ka qenë i kontrolluar, ka ardhur në rënie sipas analizave, por disa elementë janë për t’u vlerësuar dhe për t’u adresuar dhe këto ishin si objekt i analizës së Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e sotme.”-u shpreh Sejko.
Gjithashtu një element shumë i rëndësishëm pozitiv është rritja e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit.
“ Që rezulton në nivelin 19.3%, pra mjaftueshmëria e kapitalit të bankave është në nivelin e 19.3%. Situata ekonomike në Shqipëri ka ardhur në rritje, rritja ekonomike ka qenë rreth nivelit 3.6% dhe norma e inflacionit ka mbetur rreth niveleve të 2.1%, sigurisht që këtu ka ndikuar mbiçmimi i monedhës kombëtare por dhe efektet e inflacionit të importuar. Mbiçmimi i monedhës kombëtare pra forcimi i lekut kundrejt euros, gjatë sezonit turistik, është një aprouch historik i cili gjithmonë sjell prurje, hyrje nga aktiviteti i turizmit. Kjo ka ndikuar që monedha kombëtare të ketë një mbiçmim të mëtejshëm gjatë kësaj periudhe. Praktikisht mbiçmimi i kursit të këmbimit ndikon në fuqinë blerëse të popullatës, dhe është një element që ndikon pozitivisht në nivelin e inflacionit të targetuar që ne kemi.”- tha Guvernatori.
Kredi (Foto Tv Scan)
Banka e Shqipërisë ushtron streteste mbi situatën financiare të sektorit bankar.
“ Strestestet tregojnë se sistemi financiar paraqet një gjendje mjaft të qëndrueshme, stabël dhe solide, dhe është i fuqishëm për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë. Një element i rëndësishëm të zhvillimit ekonomik që ndikon dhe në sistemin financiar, ka qenë zhvillimi i turizmit. Turizmi ka ndikuar edhe këtë vit sikurse dhe vitin tjetër pozitivisht në zhvillimin e sektorit financiar të sektorit bankar, dhe ky sektor është i ndërlidhur pasi normalisht kreditimi ka ndikuar gjithashtu në zhvillimin e sektorit të turizmit.”
Sektori Bankar do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e aktivitetit ekonomik në vend.
“Konkluzioni i mbledhjes së sotme është që sektori financiar në Shqipëri është i mirëkapitalizuar me një gjendje shumë të mirë likuiditeti rreziqet janë të kontrolluara, rreziku i kredisë, i likuiditetit dhe normës së interesit janë të kontrolluar dhe aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje dhe do të vazhdojë të jetë në rritje. Sektori bankar do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e aktivitetit ekonomik në vend.”
Lidhur e kreditimin nga institucionet jo banka, Sejko thotë se po bashkëpunohet me aktorët përkatës për ndryshime ligjore. Nisma synon të mbrojë maksimalisht konsumatorët.
“Banka e Shqipërisë e ka monitoruar tregun financiar jo-banka, ka një paketë propozimesh me ndryshime ligjore për të cilat Banka e Shqipërisë po koperon me Parlamentin e Republikës së Shqipërisë dhe me qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë konkretisht Banka e Shqipërisë për të saktësuar dhe përmirësuar më tej aktet normative dhe rregullative për institucionet jo-banka, është duke punuar me Bankën Botërore për një rregullore të re duke komplementuar të gjithë aktet normative dhe rregullative ekzistuese. Kjo rrugllore do të jetë në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve nga institucionet financiare jo-banka dhe do të adresohet në disa elementë konkret, siç është analiza financiare e konsumatorëve, pra një analizë më e fortë se e deritanishme, kundrejt konsumatorëve, kundrejt huamarrësve të këtyre institucioneve financiare jo banka, dhe konkretisht insituticonet e mikrofinancës.”
Gent Sejko (Foto Banka e Shqiperise)
Gjithashtu do të ketë një filtrim më të mirë të klientëve, të cilët janë huamarrës në këto institucioneve financiare.
“ Duke parashikuar ose parandaluar një moshë të caktuar, një aftësi të caktuar ose duke marrë në analizë më mirë financat e tyre personale dhe aftësinë e tyre për të qenë huamarrës të institucioneve financiare jo-banka. Gjithashtu ne po punojmë duke marrë në analizë normat e interesit dhe komisionet që aplikojnë institucionet financiare jo-bankave dhe specifikisht nga institucionet e mikrofinancës në drejtim të uljes së tyre. Jemi duke analizuar normën efektive të interesit me kujdes edhe një herë për të parë efektet e mëtejshme që do të ketë në drejtim të uljes së normës së interesit për institucionet e mikrofinancës në vijimësi. Banka e Shqipërisë gjithashtu po punon edhe në drejtim të rregullimit të mëtejshëm të kritereve të trasnparencës për institucionet financiare jo banka, dhe veçanërisht për institucionet e mikrofinancës. Një rregullore tjetër që është rishikuar dhe që është shpërndarë për konsumim dhe këshillim publik me industrinë e caktuar është rregullore e riskut operacional për bankat dhe institucionet financiare jo banka ku përfshihen dhe institucionet e mikrofinancës brenda së cilës janë dhe shoqëritë e kursim kredive dhe gjithë institucionet e tjera jo banka.”
Kjo rregullore konsiston në rritjen e kontrolleve kundrejt këtyre institucionve në drejtim të raportimit të tyre që do bëjnë me Bankën e Shqipërisë.