Dita Botërore e Ozonit, Shqipëria fushatë informimi me të rinjtë dhe profesionistët
2024-09-18 10:57:14

Fushata per ozonin (Foto RTSH)

Në Ditën Botërore të Ozonit, Shqipëria u bë pjesë e aktiviteteve për të rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e shtresës së ozonit si dhe rrezikun nga ndryshimi i klimës.

Njësia Kombëtare e Ozonit në Shqipëri e vendosi fokusin e aktiviteteve te profesionistët dhe të rinjtë, për t’i informuar ata mbi rëndësinë e protokollit të Montrealit, që konsiderohet si marrëveshja më e suksesshme mjedisore në nivel global, që ka ndikim direkt në shëndetin e njerëzve dhe në ekonominë e çdo vendi, shkruan “ATSH”.

Shtresa e Ozonit ndodhet në stratosferë, mes 10 dhe 40 km mbi sipërfaqen e Tokës, duke na mbrojtur nga rrezet e dëmshme ultraviolet të diellit dhe duke bërë të mundur një jetë normale në Tokë. Disa kimikate industriale të prodhuara nga njeriu e kanë dëmtuar në vite shtresën e ozonit, duke ngritur shqetësime serioze për mjedisin. Për t’iu kundërvënë këtij problemi global, vendet e botës u bashkuan dhe më 16 shtator 1987 miratuan protokollin e Montrealit, një marrëveshje historike ndërkombëtare, që synon riparimin e dëmtimeve dhe mbrojtjen e mëtejshme të shtresës së ozonit. Protokolli ofron një kornizë të qartë dhe të zbatueshme të detyrimeve që kanë vendet anëtare për eliminimin gradual të substancave që dëmtojnë ozonin.

Si pjesë e axhendës botërore kundër ngrohjes globale, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt eliminimit të plotë substancave që shkaktojnë efektin serë dhe vazhdon të jetë e angazhuar për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare. (Elona)