Foto nga RTSH
Qeveria shqiptare do të dëmshpërblejë të gjithë qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore që prej dhjetorit 2019 deri sot.
Drejtori i Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Haki Çako, bëri të ditur se është marrë një kredi prej 1.5 miliardë lekë nga qeveria për të kompensuar qytetarët dhe se shumë shpejt do të nisë shpërndarja e këtyre fondeve. Kompensimi do të bëhet për qytetarët e prekur nga tërmeti, përmbytjet dhe shkatërrimi i pronës e bizneseve nga zjarret, bën të ditur “RTSH”.
Gjatë raportimit për veprimtarinë e institucionit gjatë 2023-shit në Komisionin parlamentar të Sigurisë, Çako bëri të ditur se zjarret mbetën një problematikë mjaft e madhe gjatë 2024-s, duke dëmtuar 43.466 hektarë tokë dhe në 90% e rasteve zjarret ishin të shkaktuara nga dora e njeriut.
Si pjesë të modernizimit të flotës për të shuar zjarret, Çako tha se gjatë 2025-s do të blihen dy “Air Tractor” për shuarjen e zjarreve nga ajri.
Një nga problematikat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për drejtuesin Çako mbeten kapacitetet reaguese në raste fatkeqësisht natyrore, sidomos gjatë zjarreve.
“Ne ishim të papërgatitur për të përballuar një situatë të tillë, por fatmirësisht bashkë me mbështetje nga partnerët u munduam që ajo situatë të menaxhohej në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi rehabilituar të gjithë strategjinë e mbrojtjes civile në nivel kombëtar dhe kemi bashkëpunuar me shumë partnerë në BE. Nuk kemi flotën më të mirë të mundshme, por kemi një njësi të specializuar për të reaguar në kërkim-shpëtim. Duhet investuar në strukturat reaguese për t’u mbrojtur nga zjarret dhe për të monitoruar këto fatkeqësi”, - tha Çako. (Elona)