Foto nga ATSH
Mbështetja për anëtarësimin në BE mbetet e fortë në Shqipëri dhe besimi në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor është më i lartë se kurrë më parë.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e tij gjatë prezantimit të Barometrit Ballkanik të edicionit të vitit 2024, theksoi se korrupsioni mbetet ndër tre shqetësimet kryesore për të rinjtë shqiptarë, citon “ATSH”.
Ai nënvizoi se, shqiptarët janë veçanërisht të motivuar dhe ambiciozë për të avancuar shpejt në rrugën e BE-së.
“Korrupsioni mbetet ndër tre shqetësimet kryesore për të rinjtë shqiptarë, duke theksuar nevojën për të çuar përpara reformat thelbësore në rrugën e anëtarësimit në BE. Mbështetja për BE-në si bashkim vlerash është e fortë, shqiptarët janë veçanërisht të motivuar dhe ambiciozë për të avancuar shpejt në rrugën e BE-së dhe Plani ynë i Rritjes ofron përfitime të qarta për përparimin e ardhshëm ekonomik dhe social”, - tha ambasadori i BE-së.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal prezantoi në Tiranë edicionin e 10-të të Ballkan Barometrit, sondazhi më i madh i opinionit publik dhe i biznesit në rajon. Shqipëria dhe Kosova me 79 % dhe 77% mbështesin procesin e integrimit.
Qytetarët e rajonit, sipas sondazhit, këtë vit evidentojnë çmimet e larta si shqetësimin kryesor. Gjithsesi, shqiptarët mbeten optimistë për të ardhmen, me 38 për qind që presin përmirësim të situatës së tyre financiare. (Elona)