Ministrja Balluku: Kemi përafruar angazhimin e industrisë së mbrojtjes me NATO-n
2024-09-18 10:53:02

Belinda Balluku (Foto RTSH)

Nisi punimet Grupi Ndërkombëtar i Punës për Sigurinë Industriale, organizuar për herë të parë në Shqipëri dhe që mblodhi përfaqësues nga 38 shtete të ndryshe dhe 5 struktura të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë NATO-n dhe BE-në.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, në fjalën e saj, bëri të ditur se është thelbësore të ndërtojnë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojnë bashkëpunim të fortë me aleatët, citon “RTSH”.

“Nëse ka një fushë më specifike në të cilën asnjë nga ne nuk bën dot i vetëm, padyshim kjo është siguria. Gjatë dekadës së fundit, fusha e sigurisë është transformuar në mënyrë dramatike dhe bashkë me këtë ndryshim janë shtuar edhe kërkesat për zgjerimin e industrive tona të mbrojtjes”,- tha Balluku.

Sipas saj, aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, po përdorin gjithnjë e më shumë operacione hibride dhe influencë dashakeqe për të projektuar fuqinë dhe për të minuar rendin global. Shqipëria, solli në vëmendje Balluku, ka mësuar shumë nga sulmi i paprecedent kibernetik që synoi infrastrukturën e saj kritike të informacionit dhe ndërpreu shërbimet publike. Aleatët e NATO-s, shtoi Balluku, kanë marrë hapa të rëndësishëm për të forcuar qëndrueshmërinë e industrive të mbrojtjes.

“Shqipëria ka përafruar plotësisht angazhimin e ri të industrisë së mbrojtjes të NATO-s dhe ka kryer një rishikim të plotë të dokumenteve strategjike dhe kuadrit ligjor për të adresuar ringjalljen e industrisë së mbrojtjes”,- theksoi Balluku.

Ky takim, tha ndër të tjera Balluku, zhvillohet pikërisht në një moment shumë vendimtar për ringjalljen e industrisë së mbrojtjes. (Elona)