Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, i kërkoi të martën Izraelit të dëgjojë thirrjen e fortë të bashkësisë ndërkombëtare e të përfundojë menjëherë praninë e paligjshme në territoret e pushtuara palestineze.
Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara(Foto nga VCG)
Në komentet e tij në sesionin e posaçëm urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi çështjen palestineze, Fu tha se dekadat e pushtimit dhe shtypjes kanë shkaktuar vuajtje të mëdha ndaj popullit palestinez dhe e kanë bërë ëndrrën e shtetit të pavarur gjithnjë e më të paarritshme.
"Dhënia fund pushtimit nuk është një opsion, por një detyrim ligjor për Izraelin," theksoi ai.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj këshillues më 19 korrik, arriti në përfundimin e prerë se prania e vazhdueshme e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe se Izraeli është i detyruar të përfundojë menjëherë praninë e vet të paligjshme në territoret e pushtuara palestineze, tha ambasadori. Ai shtoi se opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmon konsensusin e bashkësisë ndërkombëtare për një kohë të gjatë dhe thekson vendin kyç të çështjes palestineze. "Ne i kërkojmë Izraelit të dëgjojë thirrjen e fortë të bashkësisë ndërkombëtare, duke përfunduar menjëherë praninë e tij të paligjshme në territoret e pushtuara palestineze," tha ai.
Fu vuri në dukje se përfundimi i pushtimit do të thotë ndreqje e padrejtësisë historike dhe, ç'është më e rëndësishmja, hedhje e themeleve të paqes.
Njerëzit po shpëtojnë të plagosurit pas një sulmi të Izraelit, 17 shtator 2024, Gazë(Foto nga VCG)
Duke nënvizuar se shtetësia është e drejta e patjetërsueshme e popullit palestinez si një komb, ambasadori tha se pushtimi i zgjatur i paligjshëm ka penguar realizimin e vetëvendosjes së popullit palestinez dhe i ka dhënë Izraelit një veto përjashtimore mbi Palestinën. "Kjo është e papranueshme," vuri në dukje ai.
Vetëm një përfundim i plotë i pushtimit dhe themelimi i shtetit të pavarur palestinez do të bëjë të mundur me të vërtetë që Palestina e Izraeli të jetojnë pranë njëri-tjetrit, që të dy popujt të jetojnë së bashku në paqe e qetësi dhe që të arrihet paqja e përhershme në Lindjen e Mesme, tha ai.
Fu theksoi se zbatimi i zgjidhjes së dy shteteve është e vetmja mënyrë e mundshme për të zgjidhur çështjen e Palestinës dhe përbën një konsensus të gjerë të bashkësisë ndërkombëtare.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë përpjekje më të mëdha dhe t'i kërkojë Izraelit të zbatojë rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit e të Asamblesë së Përgjithshme, si edhe të ndalojë operacionet ushtarake në Gazë dhe ngritjen e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor.
"Kina nxit thirrjen e një konference ndërkombëtare paqeje më të gjerë e më të efektshme për të ngjallur perspektivat politike të zgjidhjes së dy shteteve e për të hartuar një plan kohor dhe një udhërrëfyes për zbatimin e saj," tha Fu.
Dhjetëra plagosen gjatë një sulmi ndaj një kampi të refugjatëve në Nuseirat të zonës Gazë, 16 shtator 2024(Foto nga VCG)
"Sot është një moment historik," tha më tej i dërguari i Kinës, duke vënë në dukje se shteti i Palestinës është ndërmjet vendeve anëtare të OKB-së dhe ka paraqitur një projektrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila përqendrohet në zbatimin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ai tha se Kina do të votojë pro projektrezolutës dhe shpreson që rezoluta do t'i japë një impuls të ri përfundimit të pushtimit, zbatimit të zgjidhjes së dy shteteve dhe përparimit të procesit të paqes në Lindjen e Mesme.