Mali i Zi hap bibliotekën e parë me libra audio për të nxitur arsimimin në gjuhën shqipe
2024-09-18 11:22:04

(Foto nga Panorama)

Për herë të parë për komunitetin shqiptar në Malin e Zi nisi të funksionojë biblioteka me libra audio në gjuhën shqipe, e cila ka për qëllim promovimin e leximit dhe edukimit përmes kësaj forme, veçanërisht për ata që kanë vështirësi me shikimin, shkruan “Panorama”.

Projekti synon të ruajë dhe të promovojë gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke inkurajuar më shumë të rinj dhe të rritur të përfshihen në botën e literaturës.

Autorja Luljeta Avdiu Cura thotë se në këtë projekt janë përfshirë autorët shqiptarë nga Mali i Zi, për t’u zgjeruar më vonë edhe me autorë të tjerë nga rajoni.

“Projekti i titulluar “Audio vepra shqip” është i rëndësishëm për shqiptarët në Malin e Zi, pasi do të publikohen libra në audio të krijuesve nga shqiptarët e Malit të Zi, por edhe të autorëve tjerë nga rajoni. Qëllimi i këtij projekti është të edukohen të rinjtë brenda vendit, por edhe i dedikohet bashkatdhetarëve, të cilët janë duke i rritur dhe edukuar fëmijët në diasporë”,- tha Cura. (Elona)