Ekspozita Nënë Tereza ne Pullat Shqiptare ( foto personale)
Ky koleksion është një testament i përkushtimit të Dizdarit për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore dhe historike shqiptare. Dizdari theksoi rëndësinë e njohjes ndër breza të figurave të shquara shqiptare si Nënë Tereza dhe Skënderbeu. Ai shprehu gatishmërinë për të ndarë këtë koleksion me Bibliotekën Kombëtare shqiptare, për të cilën e konsideron të rëndësishme që materialet të skanohen dhe të bëhen të njohura për publikun. Dizdari, i cili ka pasur përvoja të shumta në kërkimin dhe dokumentimin e librave, ka botuar gjithashtu librin "Nënë Tereza, në pullat shqiptare" që është mirëpritur dhe ka dokumentuar pullat më të rëndësishme të kësaj figure historike. Ai ka marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare, përfshirë një në Kinë, ku ishte nderuar për kontributin e tij në promovimin e kulturës shqiptare.
Albert Gjoka nga Bukinist, falënderoi mediat për mbështetje në promovimin e librit dhe kulturës, duke theksuar se ky event ka sjellë një koleksion të rrallë dhe të vlefshëm dhe ka ndihmuar në promovimin e figurave të rëndësishme si Hysen Dizdari. Bukinist ka ndërmarrë iniciativën për të krijuar një ambient fizik për të mbështetur dhe promovuar librin dhe leximin, dhe ka në plan të vazhdojë aktivitetet e tilla në të ardhmen.
Hysen Dizdari dhe Albert Gjoka ( foto personale)
CMG: Faleminderit për gjithë këtë kontribut që jepni në ruajtjen e vlerave!
Hysen Dizdari: Është padiskutim një qëllim i përbashkët që figura të tilla si Nënë Tereza, Skënderbeu dhe shumë figura të shquara shqiptare të kenë koleksionet e tyre dhe të njihen ndër breza. Librat për Nënë Terezën unë kam nisur që para 25 vitesh t'i koleksionoj dhe tani numëroj mbi 70 libra që përfaqësojnë figurën e Nënë Terezës.
CMG: A jeni të gatshëm që këtë koleksion të pasur t'ia vendosni në dispozicion edhe Bibliotekës Kombëtare ?
Hysen Dizdari: Jam i gatshëm për këtë gjë. Në eventet që kemi pasur pranë Bukinistit, ramë dakord që këto materiale të gjitha do t’i vihen në dispozicion Bibliotekës Kombëtare dhe ajo më pas mund t’i skanojë dhe t’i bëjë të njohura për publikun. Libri, nëse nuk bëhet i njohur për audiencën, nuk ka kuptim.
CMG: A jeni i emocionuar për këtë angazhim kaq të madh që ju ofroni?
Hysen Dizdari: Kam pasur përjetime të njëpasnjëshme. Jam i emocionuar, por gjithashtu i lidhur për të gjetur librat e duhur nga njëra kohë në tjetrën dhe për t’i dokumentuar ato. Nuk është një punë e thjeshtë, pasi është kërkimore dhe esenciale.
Hysen Dizdari ( foto personale)
CMG: Ju keni botuar edhe librin "Nënë Tereza në pullat shqiptare" na flisni rreth këtij libri.
Hysen Dizdari: Në vitin 2018 kam botuar këtë libër. Është pritur shumë mirë dhe dokumenton pullat më të rëndësishme që përbëjnë edhe histori.
CMG: Karriera juaj ka vijuar përtej kufijve. Keni qenë edhe në Kinë ?
Hysen Dizdari: Po, dhe jam ndjerë tepër i nderuar në atë vend. Në vitin 2019 u zhvillua në Kinë ekspozita me pulla nga e gjithë bota. Në këtë rast, kam shkuar me tre libra. Një prej librave ishte "Nënë Tereza në pullat shqiptare", "Skënderbeu në pullat shqiptare" dhe "Flora e Fauna në pullat shqiptare". Si autor i tre librave, Shoqata Kineze e Filatelisë më ftoi të merrja pjesë në këtë event madhor.
CMG: Si u ndjetë në Kinë ?
Hysen Dizdari: Pjesëmarrja ishte madhështore, pasi ishin mbi 100 shtete që merrnin pjesë. Po ashtu, më ka mahnitur mënyra se si e vlerësonin filatelinë vendasit atje. Kishin një kulturë të shquar për të vlerësuar të gjithë filatelinë. Organizimi ishte dinjitoz dhe shumë të kulturuar për të vlerësuar artin.
Çmimet e Hysen Dizdari nder to edhe cmimi i marre ne kine ( foto personale)
CMG: Sa pulla keni arritur të koleksiononi ?
Hysen Dizdari: Në fakt, koleksioni nuk matet me numra, por me arritje të tjera, siç janë edhe botimet. Unë personalisht kam botuar 5 libra dhe këto shquhen si arritje të rëndësishme për një filatelist. Ky promovim u realizua pranë ambienteve të Bukinist, një ambient komod që promovon librin dhe leximin.
CMG: Zoti Gjoka, ne herë pas here kemi pasur diskutime esenciale për librin dhe kulturën, si është pritur kjo ekspozitë?
Albert Gjoka: Ju falënderoj ju dhe median ku punoni, sepse promovoni denjësisht librin dhe leximin, sepse libri nuk jeton dot i vetëm si industri. Bukinist, pas tetë vitesh në tregun online, ka vendosur të sjellë edhe një ambient fizik. Ky është një ambient që jo vetëm shet libra, por edhe promovon librin. Ndaj, me këtë rast, sollëm edhe këtë ekspozitë bashkë me koleksionistin Hysen Dizdari. Është një koleksion i rrallë në llojin e vet, ku janë ekspozuar mbi 65 libra që janë shkruar për Nënë Terezën dhe mbi 30 pulla të emetuara nga Posta shqiptare. Libri merr vlerë nëse promovohet siç duhet, ndaj edhe ky event mori dyfish vlerë, pasi përfaqësoi një figurë kaq të rëndësishme si Hysen Dizdari. Aktivitetet në Bukinist do të vijojnë edhe më tej në promovimin e këtyre figurave.
Megi Latifi