Mianmar (Foto RTSH)
Stuhia “Yagi” që ka përfshirë Mianmarin, Vietnamin verior, Laosin dhe Tajlandën që nga fillimi i shtatorit deri më tani ka shkaktuar më shumë se 500 humbje jete në të gjithë rajonin, sipas shifrave zyrtare.
Kjo stuhi shkaktoi përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu në Mianmar, duke lënë të paktën 226 persona të vdekur. Po ashtu shkatërroi qindra mijëra hektarë me të mbjella, shkruan “RTSH”.
Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se përmbytjet janë ndër më të këqijat në historinë e vonë të Mianmarit, ndërsa ngriti alarmin se më shumë se gjysmë milioni persona kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pijshëm, strehim dhe veshje.
Agjencia e OKB-së për Reagim ndaj Fatkeqësive vlerësoi se rreth 630.000 njerëz janë prekur nga përmbytjet, për shkak të bllokimit të rrugëve, dëmtimit të urave dhe ndërprerjes së linjave të komunikimit.
Situata në Mianmar është përkeqësuar më tej edhe prej faktit se vendi është i shkatërruar nga lufta civile e nisur që nga viti 2021. (Elona)