Polonia shpall gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e përmbytura
2024-09-18 14:31:32

Poloni (Foto ATSH)

Qeveria polake shpalli gjendjen e jashtëzakonshme 30-ditore në rajonet në jugperëndim të vendit të shkatërruar nga përmbytjet e mëdha.

Gjendja e jashtëzakonshme përfshin disa pjesë të Silesisë së Poshtme, Silesisë dhe Opoles. Autoritetet do të kenë më shumë kompetenca për të nxjerrë urdhra, pasi liritë dhe të drejtat civile janë kufizuar përkohësisht, shkruan “ATSH”.

Autoritetet mund të urdhërojnë më lehtë që disa vende, zona ose objekte të caktuara të evakuohen. Ato gjithashtu mund t’i ndalojnë qytetarët të qëndrojnë në vende të caktuara.

Reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar përmbytje në jugperëndim të Polonisë, në kufi me Republikën Çeke.

Në qytetin e vogël, Kłodzko në Silesinë e Poshtme, u raportua një i vdekur.

Fshati Głuchołazy në rajonin Opole u shkatërrua gjithashtu nga përmbytjet.

Në qytetin e vogël Nysa në të njëjtin rajon, ujërat mbi lumin Nysa Kłodzka përmbytën spitalin e qarkut lokal.

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën nga reshjet shkatërruese në Rumani, Poloni, Republikën Çeke dhe Austri. (Elona)