Foto nga VCG
Në një raport të fundit të OKB-së thuhet se të drejtat e njeriut në Rusi po shpërfillen gjithnjë e më shumë.
“Tani ekziston një sistem strukturor, i sponsorizuar nga shteti i shkeljeve të të drejtave të njeriut, i legalizuar nga legjislacioni i ri ose i rishikuar, i përdorur për të shtypur shoqërinë civile, pikëpamjet kundërshtuese dhe opozitën politike”,- deklaroi Mariana Katzarova, raportuesja speciale e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke përshkruar situatën në Rusi në vitin 2023, citon “ATSH”.
Ajo e vlerësoi numrin e të burgosurve politikë të dënuar në 1372, duke shtuar se mbrojtës të ndryshëm të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe kritikë të luftës janë akuzuar mbi baza të rreme dhe janë dënuar me burgime të gjata.
“Disa prej tyre janë torturuar në paraburgim, ndërsa të tjerë po mbahen në izolim ose janë pranuar me forcë në spitalet psikiatrike”,- shtoi ajo.
Sipas saj, një numër në rritje njerëzish po klasifikohen si “agjentë të huaj”, përcaktimi që u jepet nga autoritetet ruse nëse marrin fonde nga jashtë. (Elona)