Britania synon marrëveshje për emigrantët njësoj si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë
2024-09-17 11:47:38

Foto nga VCG

Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, ka lënë derën e hapur për arritjen e një marrëveshjeje për emigrantët me Shqipërinë njësoj si ajo e nënshkruar me Italinë, shkruan “RTSH”.

Ajo tha se qeveria do të shikojë se si do të funksionojë marrëveshja që Italia bëri me Shqipërinë për emigrantët, duke lejuar përpunimin e kërkesave për azil në det të hapur në Shqipëri.

Duke e përshkruar këtë marrëveshje si shumë të ndryshme nga plani i Rishi Sunak për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, Cooper tha se një skemë e tillë mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do të mund të lejonte që kërkesat për azil të përpunoheshin jashtë vendit dhe vetëm ata që e përfitonin do të mund të shkonin në tokën britanike.

Pavarësisht se e la të hapur derën për Shqipërinë, Cooper sugjeroi se ishte më e interesuar për mënyra të tjera për të zhvilluar një sistem të ri të shpejtë për të përpunuar kërkesat për azil.

Komentet e saj erdhën pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se është i interesuar se si do të shkojë marrëveshja e Italisë me Shqipërinë.

I pyetur nëse ai do ta konsideronte një marrëveshje të ngjashme me atë që arriti Italia me Shqipërinë, Starmer tha: “Le të shohim. Jam i interesuar se si do të funksionojë kjo. Mendoj se janë të gjitha mundësitë”.

Të dielën, 8 emigrantë humbën jetën në kanalin e La Manshit, pasi gomonia e tyre goditi shkëmbinj dhe u fundos në brigjet e Francës veriore. (Fatosi)