Foto nga VCG
Rifillimi i fluturimeve direkte midis Guangzhou të Kinës jugore dhe kryeqendrës së Australisë Jugore, Adelaide, do të nxisë tregtinë dhe turizmin lokal, deklaroi kryeministri i Australisë së Jugut, Peter Malinauskas, shkruan “Xinhua”.
Duke filluar nga 11 dhjetori, “China Southern Airlines” do të organizojë tre fluturime vajtje-ardhje në javë midis Guangzhou dhe Adelaide dhe sistemi i rezervimeve është tashmë i hapur.
“Kjo është një tjetër fitore masive për sektorët e turizmit dhe tregtisë së shtetit tonë, duke injektuar miliona dollarë vit pas viti”,- tha Malinauskas në një konferencë shtypi.
Sipas tij, Australia e Jugut ka punuar për të rikthyer vizitorët ndërkombëtarë, jo vetëm për pushime, por edhe për të investuar në biznese, arsim dhe eksporte.
Përfaqësuesit nga qeveria e Australisë Jugore shprehën besim të plotë në zhvillimin e turizmit lokal, tregtisë dhe industrive të tjera pas rifillimit të fluturimeve direkte.
Konsulli i përgjithshëm kinez në detyrë në Adelaide, Pi Lijun, tha se të dyja palët duhet të shfrytëzojnë mundësinë e zhvillimit pozitiv dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Australi dhe të marrin masa efektive për të ruajtur komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë midis dy palëve në fusha të ndryshme.
Pi bëri thirrje që më shumë australianë ta vizitojnë Kinën.
“China Southern Airlines” nisi fillimisht shërbimin e saj të drejtpërdrejtë nga Guangzhou në Adelaide në dhjetor 2016.
Operacionet pushuan në mars 2020 për shkak të pandemisë Covid-19. (Fatosi)