Ministri Manja: Drafti i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë synon përfundimin e vetingut
2024-09-17 11:26:16

Foto nga Gazetasi

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se ka nisur procesi i konsultimit publik për draftin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, i cili synon përfundimin e vetingut, meritokracinë, digjitalizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, shkruan “ATSH”.

Ministri Manja theksoi se strategjia synon konsolidimin e arritjeve të Reformës në Drejtësi, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm sipas standardeve europiane, si dhe forcimin e pavarësisë, paanshmërisë dhe llogaridhënies, për një sistem drejtësie të pavarur, transparent dhe të përgjegjshëm.

Rritja e efikasitetit të institucioneve, përmes modernizimit dhe digjitalizimit, për një drejtësi më të shpejtë dhe efektive, është një tjetër objektiv i kësaj strategjie.

Ministri Manja shtoi se gjithashtu synohet zbatimi i Hartës së Re Gjyqësore.

Sipas ministrit, strategjia ka si objektiv një drejtësi më të afërt dhe cilësore për qytetarët, duke garantuar akses të lehtë dhe trajtim të barabartë për të gjithë. (Irma)