Ministri Gonxhja: Arsimi profesional, porta drejt një të ardhmeje të qëndrueshme
2024-09-17 11:02:17

Foto nga Oranews

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovaciont, Bledi Gonxhja, u bëri thirrje të rinjve t’i drejtohen arsimit profesional, si porta drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe plot sukses, shkruan “ATSH”.

Një sistem gjurmimi i ushtruar nga Agjencia Kombëtare e Punësimit në nxënësit që studiojnë në shkollat e mesme profesionale tregoi se gati 60% totalit të të diplomuarve ishin në marrëdhënie pune 1 vit pas diplomimit.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bën të ditur se deri tani mbi 4500 të rinj kanë zgjedhur të nisin studimet në arsimin profesional këtë vit shkollor.

Në total janë 15 mijë të rinj që vijojnë studimet në shkollat profesionale.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit po mbështet nxënësit që ndjekin arsimin e mesëm profesional me mbi 2500 bursa studimi deri në 7320 lekë/muaj për të rinjtë.

“Investo në talentin dhe pasionin tënd, duke ndërtuar një karrierë të sigurt që hap horizonte të reja. Bëhu pjesë e profesionistëve të së nesërmes”, shkroi ministri Gonxhja. (Fatosi)