Ministrja Denaj: Synohet rritje e numrit të operatorëve të prodhimit organik
2024-09-17 11:30:32

Foto nga VCG

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, paraqiti në Komisionin kuvendor për Ekonominë ndryshimet në ligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”, i cili, sipas saj, synon të nxisë rritjen e numrit të operatorëve të prodhimit organik dhe për rrjedhojë dhe rritjen e sipërfaqes së volumit të produkteve, shkruan “ATSH”.

Sipas ministres, po ashtu, do të ketë një sistem më efikas të kontrollit dhe tregut të produkteve organike, duke rritur sigurinë në zbatimin e ligjit sa i përket kontrollit zyrtar dhe trupave certifikuese të kontrollit.

“Bashkimi Europian synon që deri në vitin 2030, rreth 25% e tokës bujqësore të jetë e certifikuar si organike, ndërsa Shqipëria, si vend kandidat për në BE, është angazhuar për të përshtatur industrinë e prodhimeve organike “Made in Albania” sipas standardeve europiane”,- deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se ndryshimet e propozuara sjellin një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori, duke garantuar një funksionim efikas të tregut të brendshëm dhe importit të produkteve organike; rritjen e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e konsumatorit; garantuar forcimin e sistemit të kontrollit dhe certifikimin e prodhimit organik; ndihmuar fermerët të organizohen në grup për të siguruar prodhimin e nevojshëm për tregun; zhvilluar ekonominë rurale dhe atë të familjeve fermerë; si dhe rritjen e eksporteve me produkte cilësore dhe të sigurta “Made in Albania”.

Sipas saj, të dhënat e deritanishme flasin për afërsisht dy tonë eksport të produkteve organike në vit drejt vendeve të BE, ku kryesisht e zënë produktet bimët aromatike dhe mjekësore, gështenja, frutat e pyllit dhe vaji i ullirit. (Irma)