Pekin, zhvillohet panairi ndërkombëtar mbi tregtinë e shërbimeve i Kinës
2024-09-17 09:40:29

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime i Kinës (CIFTIS) është një platformë e rëndësishme e krijuar nga Kina për zgjerimin e hapjes, thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e inovacionit. Që prej vitit 2012 janë  zhvilluar dhjetë edicione të këtij panairi, duke dhënë kontribut pozitiv për sektorin e shërbimeve dhe tregtinë e shërbimeve në botë.

 

Vlen të përmendet që ky është panairi i parë në rang kombëtar dhe në sferë ndërkombëtare që zhvillohet në Kinë pas plenumit të 3-të të Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës. Në plenum u theksua që Kina do të konsolidojë dhe zhvillojë në mënyrë të vendosur ekonominë shtetërore dhe do të inkurajojë, mbështetë e drejtojë zhvillimin e ekonomisë joshtetërore, me synim që të garantohet përdorimi i barabartë i faktorëve të prodhimit, pjesëmarrja e barabartë në konkurrencën e tregut, mbrojtja e barabartë ligjore dhe nxitja e zhvillimit të përbashkët të llojeve të ndryshme të ekonomisë.

 

Këtë vit, tema e CIFTIS-it është “Shërbime globale, begati e përbashkët”. Në të dy zonat e zhvillimit të ekspozitës në Pekin marrin pjesë 85 vende e organizata ndërkombëtare dhe mbi 450 ndërmarrje ndër 500 kompanitë kryesore të botës ose ndërmarrje udhëheqëse të sektorëve të tyre përkatës.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në pavijonin kombëtar të Francës kishte një sërë ndërtesash simbol të Parisit, si “Harku i Triumfit”, dhe vizitorët mund të gjenin produkte nga mbi 10 ndërmarrje të famshme franceze, të cilat tregojnë potencialin e ekonomisë franceze. Këshilltari tregtar i ambasadës së Francës në Kinë, Pascal Gondrand, theksoi që Franca e Kina janë fuqi sportive dhe në CIFTIS morën pjesë shumë partnerë në sektorin e sportit, çka do të nxisë bashkëpunimin dhe koordinimin ekonomik-tregtar në këtë sektor.

 

Në pavijonin kombëtar të Australisë, numri i ekspozuesve shënoi rekord të ri. Një sërë institucionesh arsimore, si Universiteti i Adelajdes e Universiteti Kombëtar i Australisë morën pjesë në këtë panair, me synim që të eksplorojnë mundësitë e reja në shërbimet arsimore. “Kina është partnerja më e madhe tregtare e Australisë. Australia dhe Kina e përplotësojnë njëra-tjetrën në ekonomi e tregti dhe kanë shkëmbime të qëndrueshme kulturore e njerëzore. Marrëdhëniet Australi-Kinë në tregti e investime po zhvillohen drejt shërbimeve, teknologjisë dhe inovacionit,” u shpreh atasheu tregtar i ambasadës së Australisë në Kinë, Dominic Trindade.

 

Në këtë panair të zhvilluar nga 12 deri më 16 shtator, janë “takuar” me publikun shumë arritje të reja nga ndërmarrjet kineze e të huaja. Kompania gjermane “Schneider Electric” publikoi arritjet e saj në shërbimet e reja cilësore, duke shpallur krijimin e qendrës së vet të shërbimeve elektrike në Kinë. Ndërsa gjiganti kinez i teknologjisë, “Alibaba”, publikoi programet e tij mbi modernizimin e bujqësisë dhe shërbimet cilësore të platformës së tregtisë elektronike.

 

Krahas këtyre, edhe kompani të tjera ndërkombëtare, si EY, “Deloitte” dhe KPMG kanë publikuar arritjet e tyre të fundit në shërbimet financiare. “Marriott” dhe “Rockwell Automation” shfaqën arritjet e tyre në turizëm dhe zhvillimin e gjelbër.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sektori shëndetësor është një tjetër fushë kryesore në CIFTIS. “Philips” dhe GE këtë herë publikuan arritjet e tyre në shërbimin mjekësor. Krahas tyre, edhe kompania “Medtronic” mori pjesë për herë të parë në CIFTIS. Ajo ekspozoi mbi 60 produkte dhe zgjidhje inovative, si valvula jometalike artificiale për zemrën. “Sivjet është 35-vjetori i hyrjes së ‘Medtronic’ në tregun kinez. Po presim që të ndajmë mundësitë e tregut kinez dhe njëkohësisht të mbështesim zhvillimin me cilësi të lartë të sektorit shëndetësor të Kinës,” u shpreh zv.presidenti global i “Medtronic”-ut, Gu Yuzhao.

 

Edhe pse CIFTIS zhvillohet vetëm për disa ditë me prani fizike, ai ka krijuar edhe një platformë në internet, duke u cilësuar si “CIFTIS që kurrë nuk mbyllet”.

 

“Qysh prej krijimit të vet, CIFTIS ka tërhequr mbi 900 mijë ekspozues nga 197 vende e rajone të botës dhe është bërë platforma e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në tregtinë e shërbimeve. Në të ardhmen, Ministria e Tregtisë e Kinës do të nxitë hapjen institucionale të tregtisë së shërbimeve dhe do të krijojë një mjedis të mirë për hapjen, inovacionin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë së shërbimeve,” u shpreh ndihmësministri i Tregtisë i Kinës Tang Wenhong.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Përveç arritjeve të pasura, CIFTIS është si një dritare, nëpërmjet së cilës Kina i tregon botës vullnetin e saj të vendosur për hapje e risi.

 

“Kina do të ngulë këmbë në hapjen me nivel të lartë dhe të nxitë zhvillimin me cilësi të lartë, do të përmirësojë sistemin e hapjes me nivel të lartë, do të rinovojë tregtinë e shërbimeve, do të integrohet aktivisht me standardet e rregullat tregtare ndërkombëtare në nivel të lartë, do të nxitë ndërthurjen e rregullave, menaxhimit e standardeve në sektorin e shërbimit, do të promovojë hapjen e tregut të shërbimeve në mënyrë të rregullt, do të shtojë funksionet e platformave mbi sektorin e shërbimeve dhe tregtinë e shërbimeve dhe do të krijojë një mjedis biznesi të klasit të parë të orientuar nga tregu, me sundim të ligjit dhe të ndërkombëtarizuar,” deklaroi kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping në një mesazh urimi për CIFTIS 2024. (Jiang Lei)