EUAA: Mbi 500.000 kërkesa për azil në gjysmën e parë të vitit
2024-09-17 10:58:13

foto nga CFP

foto nga CFP

Nga të dhënat zyrtare të publikuara të hënën nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin (EUAA), vihet re rënie e numrit të azilkërkuesve në BE, Norvegji dhe Zvicër në gjysmën e parë të vitit, por ende qëndron në më shumë se gjysmë milioni, shkruan “ATSH”.

Nga janari deri në fund të qershorit, EUAA-ja, me bazë në Maltë, regjistroi gjithsej 513.000 aplikime të reja, një rënie e lehtë prej 6000 aplikimesh krahasuar me gjysmën e parë të 2023-shit.

Statistikat përfshijnë të dhëna nga të gjitha vendet e BE-së, si dhe Norvegjia e Zvicra, të cilat nuk janë pjesë e Unionit.

Shumica e aplikimeve midis 29 vendeve u regjistruan në Gjermani, 124.000, ose pothuajse një e katërta e numrit të përgjithshëm.

Megjithatë, sipas EUAA-së, autoritetet gjermane kishin marrë rreth 30.000 aplikime më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në të gjithë rajonin, agjencia pret më shumë se një milion aplikime deri në fund të vitit.

Rreth 71.000 azilkërkues erdhën nga Siria e shkatërruar nga lufta, një rritje prej 7% nga viti i kaluar. Kjo u pasua nga 45.000 afganë që aplikuan për azil, një rënie prej 18%.

Nga Venezuela, 37.000 persona kanë aplikuar për azil, pothuajse të gjithë në Spanjë.

Nuk përfshihen në këto shifra rreth 4.5 milionë njerëz nga Ukraina që kërkuan strehim në BE dhe morën mbrojtje të përkohshme pas nisjes së konfliktit me Rusinë në shkurt 2022.  (Fatosi)