Nxënësit në shkollë (Foto RTSH)
Më 9 shtator, 350 mijë nxënës të shkollave fillore, 9-vjeçare dhe të mesme nisën vitin shkollor. Nga këta, 28 mijë fëmijë e filluan shkollën për herë të parë.
Qeveria ka mundësuar libra falas për 238 mijë nxënës, ndërsa ky vit shkollor i gjen mësuesit shqiptarë më të motivuar se kurrë, falë rritjes historike të pagave në sektorin shtetëror. Paga mesatare për 31 mijë mësues, nga data 1 korrik 2024, ka shkuar në 950 euro në muaj.
Në ditën e parë të shkollës, hapën dyert 25 shkolla të reja nga veriu në jug të vendit, të cilat po mirëpresin rreth 10 mijë nxënës dhe mësues.
Gjatë këtij viti, qeveria ka investuar dhe po vijon investimet në ndërtimin dhe rehabilitimin e 100 objekteve arsimore, shkolla, palestra e terrene sportive.
Ky vit shkollor e ka gjetur sistemin arsimor më të financuar. Përmes Aktit Normativ të qeverisë Nr. 1 të shkurtit 2024, janë 450 milionë lekë që i shtohen sistemit arsimor dhe pikërisht mbështetjes me paga për mësuesit.
Mësuesit sot në arsimin publik janë më dinjitozë dhe të motivuar, nga rritja e pagave të tyre, që përbën rritjen më të lartë të bërë ndonjëherë për ta. Rritja mesatare e pagave për 31 mijë mësues në nivelin 95 mijë lekë ose 950 euro në muaj, paraqitet në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit.
Pagat janë rritur për edukatoret në çerdhe, për punonjësit socialë dhe psikologët, si dhe për oficerët e sigurisë në shkolla.
Me sistemin e ri të kualifikimit të mësuesve, mësuesit po e përfitojnë më shpejt gradën e kualifikimit, për “Mësues Specialist”, “Mësues të Kualifikuar” dhe “Mësues Mjeshtër”.
Nis viti i ti shkollor (Foto Portali shkollor)
Ndërkohë, Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve synon trajnimin dhe kualifikimin e 16 mijë mësuesve në vijimësi.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij përshëndetëse, në inaugurimin e rikonstruktimit të shkollës “Babë Dudë Karbunara” në Berat, theksoi se “Eshtë vërtetë, nga njëra anë inkurajim dhe frymëzim, sa herë që e sjell rasti që të takosh mësues dhe mësuese në pension.
Kjo, sepse ata kanë një energji dhe një pasion, që është pak më i vështirë të lexohet tek mësuesit dhe mësuesit akoma në aktivitet, ndoshta dhe për faktin dhe pa dyshim dhe për faktin e ngarkesës së përditshme të këtyre të fundit.
Por, nga ana tjetër, besoj se kam të drejtë kur përpiqem të argumentoj me kolegët ministra, qoftë me ministren e Arsimit, qoftë me ministrin e Ekonomisë që merret drejtpërdrejt me arsimin profesional, se ne kemi shumë mësues dhe mësuese në pension, të cilët mund t’i ftojmë që të angazhohen me orar të reduktuar, nën një përkujdesje të veçantë, që ka të bëjë pikërisht me mbikëqyrjen dhe me lehtësinë që duhet të ketë në aspektin e komunikimit, procesi i punës së nxënësve të arsimit profesional në ndërmarrje, si pjesë e sistemin dual, që ne po thellojmë dhe që është një domosdoshmëri, për t’i dhënë më shpejt dhe më shumë krah të kualifikuar pune tregut. Megjithatë, kjo është një bisedë tjetër.
Ndërkohë, ajo që nuk është një bisede tjetër, por është një bisedë shumë aktuale, është domosdoshmëria për të bërë të mundur që sot, në kushtet kur ekonomia jonë ka filluar të fitojë një kapacitet gjithëpërfshirës dhe kur rritja jonë ekonomike nuk është më një rritje ekonomike që lexohet përmes shifrave, dëgjohet përmes komunikimeve mbi shifrat, por nuk ndihet drejtpërdrejtë në buxhetet familjare të njerëzve që të përshijë edhe pensionistët, pikërisht për këtë arsye, ne jemi duke punuar intensivisht, mbi të dhënat kuptimplota dhe që na mundësojnë tanimë, që të fillojmë integrimin e pensionistëve në hapësirën e kësaj rritjeje ekonomike gjithëpërfshirëse.
Kjo duhet të bëhet, në mënyrë që edhe pensionistët të fillojnë të ndiejnë hap pas hapi rrugëtimin tonë drejt Shqipërisë 2030, atë që është besoj plotësisht e ndjeshme, le të themi, në buxhetin familjar të mësuesve dhe mësueseve, që sot e kanë pagën mesatare 950 euro. Kjo është një pagë, tashmë në nivelin e vendeve më të përparuara të rajonit tonë dhe një pagë, e cila patjetër që krijon premisat për të kërkuar më shumë nga vetja mësuesi dhe ne nga mësuesi”.
Qeveria shqiptare po vijon gjithashtu të investojë për rritjen e aftësive digjitale të fëmijëve, duke zgjeruar programin e kodimit në shkolla. Në këtë vit të ri shkollor, 200 shkolla në të gjithë vendin janë pajisur me 216 laboratorë SMART.
Rriten pagat e mësuesve (Foto X.com)
Mbi 35 mijë fëmijë në arsimin fillor, kanë mundësinë të mësojnë përmes platformave interaktive, ndërkohë që Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit është integruar në kurrikulën e re shkollore.
Në dy vitet e ardhshme, laboratorët Smart do të instalohen edhe në 654 shkolla të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm.
Ndërkohë, edukimi gjithëpërfshirës dhe i barabartë për të gjithë fëmijët mbetet prioritet i qeverisë shqiptare. Këtë vit të ri shkollor, 2,100 mësues ndihmës janë pranë nxënësve me aftësi të veçanta në shkolla, një rritje me 200 mësues më shumë se një vit më parë.
Ata do të ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të personalizuar, duke ndihmuar secilin nxënës me aftësi të veçanta, që të zhvillojë plotësisht potencialin e tij. Risia e këtij viti është kthimi i shkollave speciale në qendra burimore, duke ofruar më shumë shërbime të specializuara për nxënësit me nevoja të veçanta.
Sistemi ynë arsimor po përmirësohet nga dita në ditë, me investimet e reja në infrastrukturën mësimore dhe me rritjen e ndjeshme të pagave për stafin mësimor, rritje e cila do të vijojë në vitet në vazhdim.
Fatos Çoçoli