Tomorr Dyrmishi, jeta e ish ushtarakut në emigrim dhe pasioni për poezinë
2024-09-16 10:27:14

Tomorr Dyrmishi gjate nje aktiviteti ne Itali (Foto personale)

Tomorr Dyrmishi gjate promovimit te librit ne Tirane (Foto personale)

Tomorr Dyrmishi me Skender Laze (Foto personale)

Tomorr Dyrmishi është lindur në Fier dhe vjen nga një familje punëtorësh me origjinë nga Skrapari. Ai ka jetuar në Poliçan, Fier dhe në Tiranë. Pasi mbaroi arsimin tetëvjeçar në Poliçan, vazhdoi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake Skënderbej dhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Në karrierën e tij ushtarake ka kryer detyra dhe funksione të ndryshme në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Pas ndryshimeve të  mëdha  në Forcat  e Armatosura në vitin 1996, Tomorri u nis drejt Italisë, ku jeton edhe sot. Pasioni për letërsinë dhe në vecanti për poezinë, ka qënë pjesë e shpirtit të tij që në rini. Në Itali me kalimin e kohës iu rikthye pasionit për poezinë dhe  ka shkruar rreth 600 poezi, një pjesë të të cilave i publikoi në vitin 2023, me vëllimin poetik "Shpirti i trazuar". Në intervistë për Radio Ejani Tomorri tregon për karrierën e tij ushtarake, pasionin për poezinë dhe jetën në emigrim.

CMG: Prej sa vitesh jetoni  në Itali dhe si jeni integruar me jetën atje?

Tomorr Dyrmishi: Unë kam shkuar në Itali në fillim të vitit 1996, erdha rastësisht për të shoqëruar motrën me fëmijët dhe mbeta këtej. Tani jam me gjithë familjen time dhe prindërit të integruar shumë mirë. Familja ime jeton këtu dhe ka punuar që prej vitit 2000 këtu. Vajzat e mia janë integruar më së miri, duke vazhduar shkollën, nga arsimi fillor deri në universitet, tani punojnë nëpër firma të ndryshme italiane dhe në institucionet europiane.

Stervitje e shtabit te brigades (Foto personale)

CMG: Në cilin qytet të Italisë jetoni dhe si është jeta mes komunitetit vendas dhe atij shqiptar?

Tomorr Dyrmishi: Unë qëkur kam ardhur në vitin 1996 jam vendosur në Novara të Italisë, Piemonte që është në veri-perëndim të Italisë, në përëndim të Milanos dhe lindje të Torinos. Unë jam gjendur mirë këtu  dhe një nga arsyet që më pëlqente të vendosesha këtu ishte pikërisht një pjesë e gjelbër e Novarës, që më kujtonte pjesën e bukur dhe të gjelbër të Tiranës. Kështu që vendosa të jetoja në Novara.

CMG: Flasim për karrierën tuaj ushtarake në Shqipëri para largimit në emigracion, si i kujtoni ato vite?

Tomorr Dyrmishi: Unë jam futur në jetën ushtarake që 14 vjeç  dhe kam dalë në moshën 32 vjeç. Kam kryer studimet në shkollën Skënderbej dhe më pas kam vazhduar në shkollën e bashkuar. Pasi mbarova studimet e larta jam emëruar në Roskovec të Fierit, ku kam kryer detyra nga më të ndryshmet të karrierës ushtarake, që nga instruktor brigade apo sekretar brigadash dhe shtabi të batalionit. Ndërkohë që me reformën e madhe të vitit 1995 unë u largova përfundimisht nga ushtria, për të ikur në Itali. Sot e kujtoj me admirim dhe nostalgji atë pjesë të jetës time, sepse ishte pjesa më e bukur e jetës, ishte rinia dhe diçka që mbetet gjithë jetën. Mund të them me krenari që i kam shërbyer vendit tim për gjithë ato vite.

CMG: Jeni i pasionuar pas letërsisë, dhe veçanërisht poezisë, keni shkruar dhe botuar disa prej tyre. Kur lindi pasioni për të shkruar poezi?

Tomorr Dyrmishi: Poezia ka qenë bashkëudhëtare në jetën time. Poezinë si pasion e kam zbuluar për herë të parë në orën e hartimit të shkollës së mesme, kur mësuesja e letërsisë na dha një temë hartimi për baladën e Mujit dhe Halilit, dhe mua më erdhi rastësisht për ta bërë në formën e një poezie. Mësuesja kur e lexoi tha se kemi gjetur një talent të ri të poezisë. Këtë gjë e kuptova më vonë, që me të vërtetë kisha diçka brenda meje, që ishte pasioni për poezinë. Pastaj kam vazhduar të shkruaj gjëra të lehta, pa i dhënë shumë rëndësi fillimisht.

Kur isha në punë merresha shumë me përgatitjen e materialeve, sepse merresha me organizimet e aktiviteteve artistike. Kjo gjë më ndihmonte dhe më jepte kohë për të shkruar diçka. Ndërkohë që i vetmi problem që pata gjatë kësaj kohe ishte largimi im drejt Italisë dhe humba një pjesë të mirë të poezive të shkruara në ato vite. Këtë pasion e rimora përsërinë Itali, dhe vazhdova të shkruaja poezi.

CMG: Keni arritur të botoni disa nga poezitë tuaja?

Tomorr Dyrmishi: Unë nuk kam dashur të publikoj, sepse mendoja se poezia ishte e imja. Mirëpo miqtë dhe shokët e mi që jetojnë këtu, që shkruajnë poezi më shtynë për t’i botuar poezitë e mia. Kështu që vendosa të botoj një pjesë të mirë të poezive të mia. Në vitin 2019 botova librin me poezi në një tirazh prej 150 kopjesh  dhe në janar të vitit 2023 organizuam një promovim të librit tim tek Hotel Tirana International. Ndërsa në Itali nuk kam bërë promovim të librit. Kopjet e librit tim janë shpërndarë në disa vende të botës, si në Boston, Londër, Greqi, Shqipëri, sepse tirazhi prej 150 kopjesh ishte më shumë për miqtë dhe ata që unë nuk i kam njohur ndonjëherë, por thjesht kanë lexuar poezitë e mia në Facebook. Unë kam vetëm dy kopje të librit, që i mbaj në shtëpi.

Tomorr Dyrmishi dhe prof.Corado Melanga ne Zvicer (Foto personale)

CMG: Përveçse në gjuhën shqipe keni shkruar dhe në italisht, që është një risi besoj në krijimtarinë tuaj letrare?

Tomorr Dyrmishi: Është diçka e re që unë jam përpjekur, sepse këtu kemi dhe shoqëri me pjesën e arteve italiane. Kam miq aktorë dhe piktorë italianë, sepse vetë jeta na ka bërë që aktivizimi në jetën shoqërore italiane dhe të shqiptarëve të më vendosë në kontakt me një pjesë të mirë të kësaj elite të shoqërisë italiane në qytetin e Novarës. Kështu që një pjesë e mirë e shoqërisë italiane më kanë thënë që të shkruaj dhe në italisht, ngaqë jetoj këtu dhe duhet të jem pjesë e kulturës të qytetit. Kjo gjë më ka nxitur të bëj diçka të re.

Kam parasysh një kësillë që më ka dhënë shkrimtari dhe dramaturgu Stefan Çepaliku, që pata nderin ta kem të ftuar në shtëpinë time, kur i organizuam dhe një promovim libri. Ai më tha se unë  duhet të bëja diçka tjetër më ndryshe, duke provuar diçka të re, qoftë në shqip apo italisht. Këshillat e miqve të mi italianë, por dhe këshilla e profesor Stefanit më dha këtë shtysë të re. Provova diçka të re në gjuhën italiane dhe në shqip, ese dhe poezi në të dyja gjuhët.

CMG: Cila është tematika që trajtoni në krijimtarinë  letrare?

Tomorr Dyrmishi: Tematika ime letrare është e gjerë, poezia ime i përket lirikës, qoftë asaj të ndjenjave, dashurisë, familjes, figurës së gruas si hyjni, por dhe problemeve të natyrës dhe sociale, poezisë kritike, realitetit dhe asaj filozofike. Kam një diapazon të gjerë në shkrimet e mia, mua më pëlqen shumë të shkruaj për problemet e realitetit të jetës shqiptare dhe asaj në botë. Më tërheq shumë pjesa e anës filozofike dhe shpirtërore të poezisë.

CMG: Vini shpesh në Shqipëri dhe çfarë ju mungon më shumë nga vendlindja?

Tomorr Dyrmishi: Unë në Shqipëri ka vite që vij dhe tre-katër herë në vit. Ajo që më shtyn më shumë për të vizituar Shqipërinë është nostalgjia dhe dashuria për vendin tim. Mbaj lidhje me shokë dhe miq të vjetër e të rinj në Shqipëri. Kam shokët e mi të shkollës ushtarake, ish kolegët e punës, por dhe të rinj që i kam njohur nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme poetike.

Kam qenë pjesë e një aktiviteti kulturor para një viti në Përmet, organizuar nga Shoqata e shkrimtarëve të klubit naimian të Përmetit. Poezia më ka bërë të kem lidhje me miq nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Këtu në Itali kam një diapazion shumë të gjerë miqsh, që shtrihen nga veriu deri në jug të Italisë. Këtu kam lidhje me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, dhe kjo më bën që unë ta kem lidhjen me Shqipërinë sikur jetoj atje, me gjithë këto lidhje miqësore që kam.

CMG: Cilat janë planet tuaja në vazhdim në lidhje me krijimtarinë letrare?

Tomorr Dyrmishi: Unë kam shumë poezi të pabotuara, sepse në librin tim janë botuar vetëm 230 poezi, kurse në shkrimet e mia kam dhe 500-600 poezi. Kam një projekt të afërm, jam në bisedime me një shtëpi botuese italiane me qendër në Romë, për të marrë pjesë në një antologji të shkrimtarëve fiorentinë me poezitë e mia, qoftë të shkruara në italisht apo të përkthyera nga shqipja në italisht.

Ishte iniciativa e tyre për të kërkuar pjesëmarrjen time, pasi unë kandidova në një konkurs të tyre dhe poezinë time e  kishin pëlqyer. Ata insistuan që unë të jem pjesë e antologjisë së tyre. Gjithashtu kam dhe një projekt tjetër me një aktore në Novara, për të bërë një teatër poetik, ku ajo bashkë me një mikun e saj instrumentist do të recitojë poezitë dhe tregimet e mia në italisht për një publik italian. Këto janë projektet e mia më të afërta, por që do jem i kënaqur me projektin e dytë, ku para një publiku italian të lexohen poezitë e një shqiptari.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese të mëtejëshme.

Tomorr Dyrmishi: Faleminderit ju. Përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Intervistoi: Gazmend Agaj