Zv.kryeministrja Belinda Balluku (Foto facebook)
Infrastruktura Thumane (Foto Scan tv)
Ndërtimi i infrastrukturës rrugore në Shqipëri po kryhet në përputhje të plotë me standardet e paracktuara nga BE. Kështu u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, gjatë interpelacës parlamentare, ku ishte thirrur lidhur me protestat e banorëve në aksin Thumanë – Kashar.
“Sot korridori blu, i cili lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, kalon tej për tej në Shqipëri dhe tashmë kemi segmentin e parë Thumanë- Kashar, që është një segment i ndërtuar sipas parametrave të kategorisë A dhe do të jetë një shembull për t’u marrë për të gjitha autostradat në vazhdim. Ju tashmë e dini që ne i kemi mbyllur garat për segmentet e tjera, ashtu siç është segmenti nga Thumana në Milot, ashtu siç do të jetë Milot-Balldre, që mezi e presin lezhjanët dhe shkodranët dhe të gjithë segmentet e jugut. Segmenti që fillon nga Kashari dhe përfundon në rrethrrotullimin e Rrogozhinës në Lekaj, dhe nga Lekaj deri në bypass e Fierit. Shqipëria do të përshkruhet me një nga veriu në jug në ultësirën perëndimore me një korridor të kategorisë A”.
Autostrada të tilla, sipas Ballukut kërkojnë kushte sigurie të larta dhe për këtë janë marrë masa.
“Sigurisht kur ndërtojmë autostrada të këtij niveli ka edhe një problematikë që i lind këtyre komuniteteve, pasi këto autostrada kërkojnë që të kenë kushte sigurie të larta që të certifikohen në kategorinë A. Kërkon që të kenë nyje të dizenjuara dhe jo hyrje- dalje si me shumë të drejtë komunitetet do të donin të dilnin sa më parë aty ku ishin mësuar që të dilnin, por sot ato nuk janë më rrugë rurale dhe akse të thjeshta kombëtare. Që të vijmë tek kërkesa e grupit të deputetëve për këtë interperlancë, po ndalem tek Thumanë-Kashar duke bërë një përshkrim të gjithë problematikës së shtruar. Për shkak të kërkesave për sigurinë rrugore dhe për të ruajtur nivelin e certifikimit të rrugës ka pasur ndërhyrje të shumta, të cilat kanë qenë publike, transparente. Ky është një projekt i dizenjuar nga WIF shumë vite më parë.”, u shprej ministrja Balluku
Opozita thotë se projekti i bërë publik nga vetë qeveria ka patur në plan 4 nyje, por numri dy i qeverisë e hedh poshtë një gjë të tillë.
“ Kemi pasur një garë që u zhvillua në pandemi, pa sukses dhe u detyruam ta rihapnim pas pandemisë dhe sigurisht ka qenë një projekt që është ndarë në forume, në tryeza të ndryshme dhe nuk ka qenë kurrë i fshehtë dhe për askënd. Megjithatë duhet thënë që katër nyje Thumanë- Kashari nuk i ka pasur, por ka dy nyje të cilat janë pjesë e projektit. Ndërkohë pjesë e studimit kanë qenë tre nyje dhe ajo e Gramzës dy nyjet e Kasharit janë të ndërtuara dhe nuk ka asnjë ndryshim nga projekti fillestar i miratuar nga Këshilli teknik i ARRSH dhe bëhet fjalë për hyrjen e Rinasit dhe hyrjen e Kasharit.”
Thumane-Kashar (Foto Euriskon)
Përsa i përket problemit të banorëve për akses në rrugë, Ministrja tha se ka një zgjidhje.
“Ajo nyje, e cila do t’i përkasë dhe do të zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës dhe si rrjedhojë të Fushë-Krujës dhe Krujës, të cilat ndodhen në lartësi mbi Thumanë, është nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do vazhdojë nga Thumana në Milot dhe është vetëm 4 km larg nga mbikalimit ekzistues sot sepse ka një mbikalim në Gramëz për t’i dhënë një zgjidhje provizore.”
Zv. Kryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se ka patur takime edhe me banorët e zonës dhe i është komunikuar zgjidhja provizore.
“Unë banorët e Thumanës i kam takuar, i kam dëgjuar dhe sigurisht i kam dhënë dhe zgjidhje. Qeveria Rama ka veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë, ka dëshirën më të madhe për të adresuar kërkesat e komuniteteve, por sigurisht duke e kuptuar mirë se interesi i një individi nuk mund të prevalojë interesat e komuniteteve, apo interesat e rajoneve apo dhe të gjithë vendit. Ne i kemi dhënë një zgjidhje provizore kërkesës së banorëve të Thumanës”.
Balluku ka pranuar në interpelancë se rruga alternative nuk është në kushtet më të mira.
“Është parim që të gjitha rrugët me pagesë, duhet të kenë rrugë alternativë. Dhe sot që flasim Thumana ka rrugë alternative, por e di kush është kërkesa, që rruga alternative është e gjatë dhe rruga alternative nuk është në gjendje të mjerë, dhe kjo është e vërtetë. Do të ketë rrugë më të shkurtër, do të ketë nyje të dedikuar në hyrje të Thumanës, e cila është pjesë e projektit Thumanë-Milot, që nis menjëherë. Jemi në fazën e firmosjes të kësaj kontrate.”
Banorët e Thumanës kanë protestuar vazhdimisht, duke kërkuar hyrje-dalje në autostradën Thumanë-Kashar. Ata kërkojnë nga institucionet që të marrin masa dhe t’u krijohet aksesi, pasi autostrada e re ka kthyer në një aks të “vdekur” rrugën e vjetër dhe si pasojë po ju falimentojnë edhe bizneset.