Haiti, shpërthimi i cisternës së karburantit shkakton 24 të vrarë dhe 40 të plagosur
2024-09-16 11:37:31

Shpërthimi i çisternës në Haiti (Foto 360 gradë)

Të paktën 24 persona u vranë dhe rreth 40 të tjerë u plagosën, disa me djegie shumë të rënda, nga shpërthimi i një cisterne karburanti në Haiti, sipas raportit të fundit të Mbrojtjes Civile të vendit, njofton panorama .al.

Shpërthimi ndodhi ndërsa një turmë u përpoq të mblidhte karburantin që rridhte nga rezervuari i një kamioni që ishte ndaluar për shkak të një aksidenti trafiku në rajonin Miragoan, 100 kilometra në perëndim të kryeqytetit Port-au-Prince.

Identifikimi i viktimave është i vështirë pasi trupat janë djegur. “Kishte shumë njerëz. Ata që ishin pranë kamionit u karbonizuan”, tha një dëshmitar në vendngjarje.

Në një incident të ngjashëm që ndodhi në vitin 2021 në Haiti, rreth 60 njerëz u vranë nga një shpërthim që ndodhi kur kalimtarët po përpiqeshin të mblidhnin karburantin që rridhte nga një cisternë që ishte përmbysur në një rrugë në qytetin Cap-Haitien.(Fatosi)