foto nga VCG
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan u zotua se do të kërkojë drejtësi për aktivisten e vrarë turko-amerikane Ayşenur Ezgi Eygi dhe mbi 41.000 civilë të Gazës, duke e krahasuar situatën në Gaza me gjenocidin famëkeq të Srebrenicës në vitin 1995, shkruan ATSH.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Denis Beqiroviqin, kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, të mbajtur në ditën kur Eygi u varros në vendlindjen e saj në Didim të Türkiyes, Erdoğan tha: “Në organet e drejtësisë, ne do të kërkojmë llogari nga Izraeli për vrasjen e Ayşenur Ezgi Eygit, së bashku me mbi 41.000 vëllezërit dhe motrat tona nga Gaza”.
Duke theksuar ashpërsinë e situatës, ai tha: “Sot në Gaza dhe në territoret e pushtuara palestineze po përjetojmë një masakër të ngjashme me masakrën që ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 90”.
Erdoğan shtoi gjithashtu se ashtu si autorët e gjenocidit të Srebrenicës u dënuan në gjykatat ndërkombëtare, edhe autorët e asaj që po ndodh në Gaza do të mbajnë përgjegjësi.
Beqiroviq, nga ana e tij, tha: “Gjenocidi në Gaza është në fakt turpi më i madh në botë”.
Eygi, 26 vjeçe, kishte udhëtuar në Bregun Perëndimor për të mbështetur rezistencën palestineze kundër pushtimit izraelit, sipas raporteve nga Lëvizja Ndërkombëtare e Solidaritetit. (Fatosi)