Procesi i deinstitucionalizimit në Shqipëri, për përmirësim të cilësisë së shërbimeve
2024-09-15 16:41:50

Ministrja Kociu (Foto Atsh)

Ministrja Kociu (Foto Atsh)

Transformimi i institucioneve të përkujdesit shoqëror në Qendra të Shërbimeve Sociale për fëmijët dhe familjet e tyre është qëllimi kryesor i procesit të deinstitucionalizimit në Shqipëri, për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara duke siguruar interesin më të lartë të fëmijës, shkruan “ATSH”.

Në kuadër të këtij procesi, u mbajt në Tiranë aktiviteti “Kujdes për çdo fëmijë dhe familje”, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UNICEF-i, me pjesëmarrjen e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ambasadorit të Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, përfaqësuesit të UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, përfaqësues të institucioneve të kujdesit social dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, si dhe nga pushteti vendor e shoqëria civile.

Ministrja Koçiu deklaroi se deinstitucionalizimi është një sipërmarrje e madhe kombëtare, një besëlidhje për një të ardhme shumë më të mirë për të gjithë të miturit e familjet, që fati apo rrethanat i kanë vendosur në kushte të pafavorshme.

“Në politikat tona sociale, solidariteti do të thotë një shoqëri ku diferencën nuk e bën privilegji në lindje, por vetëm puna dhe talenti. Do të thotë mundësi të barabarta për të gjithë, edhe për ata që kanë më shumë nevojë për mbrojtje. Prandaj, besoj sinqerisht dhe fuqimisht, se reforma e deinstitucionalizimit është një prej reformave më europiane të ndërmarrë ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar”,- deklaroi ministrja Koçiu.

Ambasadori Gonzato tha se çdo fëmijë ka të drejtën të rritet në një mjedis të lumtur, të dashur dhe të qëndrueshëm. 

“BE-ja e ka mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj për ta bërë deinstitucionalizimin një prioritet. Qëllimi është të sigurohet që çdo fëmijë mund të gëzojë një standard jetese që është i përshtatshëm për zhvillimin e tij fizik, mendor dhe social, duke ofruar shërbime sociale të bazuara në komunitet dhe të fokusuara tek fëmijët. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në ndërtimin e një të ardhmeje, ku të gjithë fëmijët rriten në një mjedis të sigurt dhe të kujdesshëm”,- deklaroi ambasadori i BE-së.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, u shpreh se institucionalizimi dhe ndarja e familjes kanë ndikime negative të mirëdokumentuara në shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve. 

Sipas tij, në nivel rajonal, UNICEF-i i ka dhënë prioritet Reformës së Kujdesit si një nismë kryesore në mbrojtjen e fëmijëve.

Procesi i deinstitucionalizimit, pjesë e Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024-2030 ka si qëllim transformimin e shërbimeve të kujdesit rezidencial në shërbime me bazë komunitare, si dhe fuqizimin e familjeve në rrezik ndarjeje, me qëllim parandalimin dhe jo institucionalizimin.

Gjithashtu, në fokus të kësaj reforme është zgjerimi i rrjetit të shërbimeve të përkujdesit shoqëror për persona me aftësi të kufizuara, që jetojnë në institucione rezidenciale, ose në rrezik institucionalizimi, si dhe nxitja dhe mbështetja e shërbimeve në familje për të gjitha kategoritë e rrezikuara. (Irma)