Korporata Shqiptare e Investimeve, marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë italiane të Pronave
2024-09-15 16:40:40

Marreveshja per pronat (Foto Atsh)

Marreveshja per pronat (Foto Atsh)

Korporata Shqiptare e Investimeve nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Shtetërore italiane të Pronave, shkruan “ATSH”.

Në zbatim të misioneve të tyre përkatëse, dy institucionet angazhohen në ndarjen e përvojave e njohurive me qëllim mbështetjen e korporatës shqiptare në adoptimin e modeleve më të mira dhe më efikase organizative si dhe në forcimin e aftësive e kompetencave në zhvillimin dhe rijetëzimin e aseteve dhe pronave publike.

Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar nga drejtoresha ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona, dhe drejtoresha e Agjencisë italiane të Pronës, Alessandra dal Verme, synon të sigurojë asistencë të kualifikuar për përcaktimin e një modeli qeverisjeje dhe një kuadri ligjor për menaxhimin e pasurive publike të paluajtshme në Shqipëri, duke ndarë procedura dhe projekte inovatore me qëllim nxitjen e zhvillimit dhe rritjes ekonomike.

Marrëveshja, parashikon aktivizimin e marrëveshjeve zbatuese për nisma dhe projekte specifike, mbi bazën e indikacioneve të dhomës së kontrollit e cila do të krijohet brenda një muaji dhe do të ketë funksionet e drejtimit, planifikimit, zhvillimit, koordinimin dhe monitorimin e ecurisë së aktiviteteve të përbashkëta.

Si pjesë e linjave të veprimit të mbuluara nga marrëveshja, Korporata Shqiptare e Investimeve dhe Agjencia italiane e Pronave do të ndajnë njohuritë, modelet dhe proceset më efektive, inovative dhe të qëndrueshme të planifikimit strategjik për vlerësimin dhe rigjenerimin e aseteve publike të pasurive të paluajtshme. (Irma)