Festivali (Foto Atsh)
Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” organizon edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Tema e këtij viti është “Vepro gjelbër tani dhe në të ardhmen”, me një vëmendje të veçantë kushtuar mjedisit dhe pasojave nga dora e njeriut, shkruan “ATSH”.
Drejtori i festivalit, Kujtim Çashku, shpjegoi se tematika të tilla ndihmojnë për të parë se si po shfrytëzohet barbarisht planeti.
Në festival janë dorëzuar rreth 3500 aplikime, nga të cilët janë përzgjedhur vetëm 41 filma, që do të shfaqen në Kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, çdo ditë duke filluar nga ora 17:00, për rreth 5 orë.
Luftërat dhe konfliktet aktuale në botë, nga Ukraina në Gaza, do të vijnë në krijimet për publikun shqiptar për 5 ditë radhazi.
Çashku shprehu besimin se filmi nuk është vetëm një formë argëtimi, por edhe një mënyrë për të treguar të vërtetat.
“Festivali i Filmit të të Drejtave të Njeriut ka si qëllim dhe mision të vetin t’i sjellë spektatorit sa më shumë të vërteta, që vijnë përmes artit të filmit”,- tha ai. (Irma)