Plazhet (Foto Atsh)
Kryeministri Edi Rama deklaroi se vitin e ardhshëm do të ketë një strategji të re të menaxhimit të plazheve. Sipas tij, nuk do të ketë më shezlonge pafund për hotelet, por aq sa kanë kapacitete.
Gjatë bisedës rreth turizmit me të ftuarit në podkastin “Flasim”, kryeministri Rama theksoi se baret nuk do të lejohen të kenë në menaxhim edhe shezlonge në plazhe, shkruan “ATSH”.
“Do të ndryshojmë sistemin dhe nuk do të lejojmë shezlonget, përveç atyre që kanë hotele. Mund të kenë një bar në plazh, por nuk mund të vendosin shezlonge“,- tha kryeministri.
Ai theksoi se po ashtu nuk do të lejohet vendosja e shezlongeve deri në vijën e ujit.
“Do të krijojmë hapësirë publike në vijën e ujit, për t’u dhënë mundësinë njërëzve të ecin bregut të detit”,- deklaroi Rama.
Me bashkitë, u shpreh Rama, do të nisim një plan që të vendosin çadra me çmim tavan.
“E filluam në Lezhë, e cila u bë një qytet model. E rëndësishme është që edhe një pensionist të mund të shkojnë në plazh e të qëndrojë me çadrën e tij. Duhet çliruar mushkëria e detit dhe rërës, për të sjellë rritjen cilësore”, deklaroi Rama. (Irma)