Deputetet e PD-se (Foto Atsh)
Pesë deputetë të opozitës, Dashamir Shehi, Enkelejd Alibeaj, Flutura Açka, Arbi Agalliu dhe Selaudin Jakupllari janë bërë bashkë duke formuar një grupim politik.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, ata u shprehën kundër listave të mbyllura. Deputeti i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklaroi se në Kuvend ka më tepër deputetë që duan lista të hapura, shkruan “ATSH”.
“Ne jemi një grupim politik. Mund të bëhemi grup parlamentar si është me ligj. Ne sot jemi 5 vetë. Si ne mund të mendojnë dhe 15 të tjerë. Ky është nukli i parë parlamentar që mendon ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës për shumë gjëra. Zgjidhjen do ta shikojmë rrugës. Mund të hyjmë si parti të ndryshme të gjitha bashkë. Do të tentojmë që kushdo që i bashkohet këtij grupi të hyjmë me listë të hapur. Ky është principi që na bashkon”,- u shpreh Shehi.
Deputeti Enkelejd Alibeaj tha se i bashkonte një qëndrim i qartë, i saktë dhe pa ekuivok në mbështetjen e drejtësisë.
“Raportet me partnerët strategjikë janë të domosdoshme. Ne që jemi këtu mendojmë që sot opozita, por dhe Parlamenti, është distancuar vite dritë larg nga publiku. Një nga elementet është vota përmes listave të hapura. Është e udhës që sot t’i dorëzohet popullit e drejta të vendosë dhe një nga këto është vendimi për të dalë me lista të hapura”,- tha Alibeaj. (Irma)