foto nga VCG
Nga 11 deri më 13 shtator, në vetëm tre ditë, u mbajtën tre takime të shumëpritura: takimi i krerëve të mekanizmit dypalësh të konsultimeve midis Kinës dhe Filipineve për çështjen e Detit të Kinës Jugore, Forumi i 11-të i Pekinit “Xiangshan” dhe Takimi e 22-të i Zyrtarëve të Lartë mbi Zbatimin e Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore mes Kinës dhe vendeve të ASEAN-it. Këto takime jo vetëm që përfshinë çështjen e Detit të Kinës Jugore, por edhe dhanë një mesazh të përbashkët, pikërisht atë që trajtimi i duhur i mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe ruajtja e qëndrueshmërisë në Detin e Kinës Jugore janë shpresat e përbashkëta të rajonit dhe janë në interesin e rajonit.
Lidhur me takimin dypalësh midis Kinës dhe Filipineve, sipas njoftimeve, të dy palët patën një shkëmbim të sinqertë dhe të thelluar pikëpamjeve mbi çështjet detare, veçanërisht për gumën Xianbin. Kina përsëriti qëndrimin e saj parimor për çështjen e gumës Xianbin, u kërkoi Filipineve që të largonin menjëherë anijet përkatëse dhe deklaroi se do të ruante me vendosmëri sovranitetin e saj dhe seriozitetin dhe efektivitetin e Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore. Në të njëjtën kohë, diplomatët filipinas postuan pamjet e takimit në platformat sociale, duke thënë se kishin një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh me palën kineze.
Kjo tregon qartë për botën e jashtme se janë Filipinet ato që kanë shkaktuar në mënyrë të njëanshme përshkallëzimin aktual të tensioneve në Detin e Kinës Jugore. Për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, Kina shpreson t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me Filipinet nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve. Filipinet duhet të korrigjojnë gabimet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, të mbajnë premtimet, të respektojnë Deklaratën për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore dhe të përfshihen në dialog e komunikim me Kinën. Faktet e kanë vërtetuar herë pas here se vetëm duke u ulur e duke biseduar mund të zgjidhen problemet, ndërsa përballja dhe provokimi vetëm sa e përshkallëzojnë situatën.
foto nga VCG
Pas 22 vjetësh praktike të suksesshme, Deklarata për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore është bërë një pjesë e rëndësishme e rendit juridik të pranuar në Detin e Kinës Jugore. Neni 5 i deklaratës përcakton se të gjitha palët nuk duhet të ndërmarrin veprime që ndërlikojnë a zgjerojnë mosmarrëveshjet ose cenojnë paqen dhe qëndrueshmërinë. Në takimin e 22-të të zyrtarëve të lartë midis Kinës dhe vendeve të ASEAN-it mbi zbatimin e Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore të mbajtur të premten, të gjitha palët ranë dakord se ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë në Detin e Kinës Jugore ka një rëndësi të madhe, duke bërë thirrje për forcimin e dialogut, ruajtjen e përmbajtjes, trajtimin e duhur të dallimeve dhe rritjen e besimit të ndërsjellë. Kjo u bën jehonë zërave të dy takimeve të sipërpërmendura dhe pasqyron kundërshtimin e përgjithshëm të vendeve të rajonit ndaj provokimeve të njëanshme dhe telasheve të Filipineve në Detin e Kinës Jugore. Disa analistë theksuan se Filipinet nuk duhet të ndjekin më verbërisht ShBA-në dhe të bashkëpunojnë me të për të ashtuquajturën "Strategji të Indo-Paqësorit" të Shteteve të Bashkuara.
foto nga VCG
“Harmonia është e çmuar”, kjo është mençuria e lashtë kineze. Në Forumin “Xiangshan”, përfaqësuesi kinez i dhuroi një vepër kaligrafike me këto tre fjalë palës amerikane, duke dërguar një mesazh paqeje. Në të njëjtën kohë, Kina e ka bërë të qartë edhe qëndrimin e saj se mbron zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut, gjë që në asnjë mënyrë nuk do të thotë se do të bëjë ndonjë lëshim apo kompromis për çështjen me interes thelbësor të sovranitetit të Detit të Kinës Jugore. Në këtë drejtim, Filipinet dhe nxitësit që qëndrojnë pas saj nuk duhet të bëjnë asnjë gjykim të gabuar. Në sfondin e një shekulli ndryshimesh, është aspirata e përbashkët e vendeve të rajonit që të zbatojnë Nismën e Sigurisë Globale dhe ta shndërrojnë Detin e Kinës Jugore në një det paqeje, miqësie e bashkëpunimi. Kina do të vazhdojë të punojë shumë për këtë qëllim dhe Filipinet duhet t'i kthehen konsensusit rajonal sa më shpejt të jetë e mundur dhe të bëjnë zgjedhje që u shërbejnë vërtet interesave të tyre. (Fang Xiaoyu/Artan)