foto nga VCG
Ministria e Tregtisë e Kinës publikoi kohët e fundit një raport të ri mbi “Pajtueshmërinë e Shteteve të Bashkuara me Organizatën Botërore të Tregtisë”, duke theksuar se gjatë vitit të kaluar ShBA-ja i ka shtuar vazhdimisht sanksionet e njëanshme, ka zbatuar shpesh masa diskriminuese dhe ka krijuar barriera tarifore, duke paraqitur sfida të rënda për sistemin e tregtisë shumëpalëshe. Sipas raportit, CGTN kreu një sondazh në mbarë botën, që tregon se 90.53 për qind e pjesëmarrësve në të kritikojnë një sërë masash të njëanshme dhe të mbrojtjes tregtare të marra nga qeveria amerikane, duke besuar se kjo është një shkelje serioze e rregullave të OBT-së.
Megjithëse OBT-ja ka arritur haptas në përfundimin se masat tarifore sipas Nenit 301 të ShBA-së shkelin rregullat e OBT-së, pala amerikane vazhdon të shkelë rregullat e kësaj organizate dhe këmbëngul në ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme. Në prill të vitit 2024, ShBA-ja nisi një hetim sipas “Nenit 301” kundër industrisë detare, logjistikës dhe ndërtimit të anijeve të Kinës. Në sondazh, 94.31 për qind e të anketuarve kritikojnë ShBA-në për mosrespektimin e rregullave të OBT-së.
foto nga VCG
Deri në maj 2024, për 76 herë radhazi, ShBA-ja nuk kishte pranuar propozimet e anëtarëve të tjerë për të nisur zgjedhjen e anëtarëve të Organit të Apelit në mbledhjet e rregullta të Organit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të OBT-së. Edhe pse 130 anëtarë të OBT-së mbështesin në mënyrë të hapur nisjen e hershme të këtij procesi, ShBA-ja ende refuzon t'i bashkohet konsensusit me justifikimin e shqetësimeve institucionale të pazgjidhura. 94.12 për qind e pjesëmarrësve në sondazh besojnë se ShBA vendos interesat e veta mbi OBT-në, injoron apo edhe minon mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së dhe pengon seriozisht funksionimin normal të OBT-së.
Në 29 vjetët që nga themelimi i OBT-së, ShBA-ja ka qenë pjesëmarrëse në 159 mosmarrëveshje, duke përfshirë 28 mosmarrëveshje përputhshmërie, që përbëjnë afërsisht 18 %. Sipas pikëpamjes së 95.45 për qind të të anketuarve, zbatimi me përzgjedhje i vendimeve të OBT-së nga Shtetet e Bashkuara është një "standard i dyfishtë i stilit amerikan".
Gjithsej 2 868 subjekte nga 91 vende e rajone anembanë botës ishin renditur në listën e subjekteve deri në maj 2024. Shtetet e Bashkuara janë vendi që ka vendosur më shumë sanksione të njëanshme në botë. Sipas sondazhit, 91.55 për qind e të anketuarve besojnë se sanksionet e njëanshme arbitrare të ShBA-së kanë dëmtuar seriozisht sigurinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit globalë. Ndërkohë, 95.24 për qind e të anketuarve kritikojnë ShBA-në për abuzim me konceptin e sigurisë kombëtare për t'u përfshirë në ngacmime të njëanshme.
foto nga VCG
Shtetet e Bashkuara, të cilat gjithmonë kanë zbatuar ekonominë e tregut, po përdorin gjithnjë e më shumë "standarde të dyfishta" në politikën e tyre industriale: nga njëra anë, ato shtrembërojnë tregun global duke ofruar subvencione në shkallë të gjerë në kundërshtim me rregullat e OBT-së, dhe nga ana tjetër, nxitin të ashtuquajturin "mbikapacitet" dhe kritikojnë politikat e arsyeshme të vendeve të tjera. Në këtë drejtim, 87.2 për qind e të anketuarve kritikojnë politikën e paarsyeshme të subvencioneve të zbatuar nga pala amerikane për një kohë të gjatë, që shkel rëndë parimin e konkurrencës së ndershme, dhe 85.82 për qind i bëjnë thirrje ShBA-së që të japë më shumë kontribute pozitive për krijimin e një rendi më të drejtë dhe më të arsyeshëm të tregtisë ndërkombëtare.
Sondazhi u publikua në platformat e gjuhës angleze, spanjolle, franceze dhe arabe të CGTN-it. Më shumë se 6 000 përdorues interneti votuan dhe shprehën pikëpamjet e tyre brenda 24 orëve. (Fang Xiaoyu/Artan)