foto nga VCG
Në Çeki dhe Poloni janë raportuar përmbytje masive, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë natës.
Prej së premtes, forcat e Emergjencës në të dy vendet janë përgatitur për mot të ashpër.
Reshjet e dendura në rajonin e lumenjve Elba dhe Vltava në Çeki shkaktuan rritjen e nivelit të ujit të Elbës.
“Autoritetet kanë lëshuar nivelin e tretë të alarmit për përmbytjet për rreth 20 lumenj dhe përrenj. Më shumë se 60.000 familje çeke kanë mbetur pa energji elektrike pas stuhive të forta”,- njoftoi agjencia çeke e lajmeve “CTK”, citon “ATSH”.
Përmbytje pati në zonën e Mikulovices, pranë kufirit polak. Në qytetin jugor të Ceske Budejovice, zjarrfikësit kanë ngritur barriera kundër përmbytjeve përgjatë lumenjve Malse dhe Vltava që nga mbrëmja e së premtes.
foto nga VCG
Në Pragë, përgatitjet për përmbytjen e pritshme të Vltava ishin të plota, me barriera përmbytëse që u ngritën përgjatë brigjeve të lumit.
Trafiku i transportit është pezulluar.
Disa zona kanë parë nga 50 deri në 110 litra reshje për metër katror që nga e premtja.
Në Poloninë jugperëndimore, lumi Biala Glucholaska shpërtheu brigjet e tij në rajonin Opole. Rreth 400 banorë të fshatit Glucholazy, afër Mikulovice në Çeki, u desh të evakuoheshin.
Ministri i Brendshëm, Tomasz Simoniak, vizitoi vendin e ngjarjes, nga ku deklaroi se në zonë janë vendosur rreth 100 zjarrfikës dhe 60 policë.
foto nga VCG
Disa nga banorët e fshatit Moroë gjithashtu u desh të evakuoheshin, sepse lumi Mora doli nga brigjet e tij.
Instituti Meteorologjik i Polonisë bëri të ditur se shirat pritet të vazhdojnë. (Irma)