Ministri Mazniku (Foto Atsh)
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, zhvilloi një takim pune me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy Vanhorn, dhe drejtoreshën e USAID-it në Shqipëri, Mischere Kawas.
Ministri Mazniku bëri të ditur se në fokus të diskutimit ishte potenciali i zhvillimit të njësive vendore shqiptare për të rritur performancën e tyre ekonomike, duke garantuar kështu shërbim cilësor dhe mundësi më të mëdha për qytetarët, shkruan “ATSH”.
“SHBA-ja ka qenë mbeshtetëse kyçe në reformën e fuqizimit të pushtetit vendor përmes programit PLGP të USAID-it dhe ne kemi ende shumë për të përfituar nga një bashkëpunim i afërt me të”,- u shpreh ministri Mazniku, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të projekteve që mbështet USAID-i në forcimin e ekonomive lokale.
“Projekti inovativ i qendrës për sigurinë kibernetike vendore në Korçë, projekti per infrastrukturën arsimore në 6 bashki, apo projektet e agroturizmit në bashkinë e Lezhës, të ndërmarra nga Ambasada amerikane, janë shembuj se si bashkëpunimi i jashtëzakonshëm mes shteteve tona mund të zbresë suksesshëm në nivel vendor”,- tha ministri Mazniku. (Irma)