Shqipëri, zhvillohet konferenca për rolin e Parlamenteve rajonale në procesin e integrimit europian
2024-09-14 16:59:16

Jorida Tabaku (Foto Atsh)

Jorida Tabaku (Foto Atsh)

U zhvillua në Shqipëri konferenca rajonale “Procesi i Udhërrëfyesit, hapat e mëtejshëm”, për rolin efektiv të Parlamenteve në procesin e integrimit europian. 

Në këtë konferencë morën pjesë kryetarja e Komisionit kuvendor për Çështjet Europiane, njëherësh kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku, anëtarja e Komisionit për Çështjet Europiane të Kuvendit të Shqipërisë, Pranvera Resulaj, si dhe delegacione të komisioneve parlamentare për integrimin europian nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, shkruan “ATSH”.

Konferenca u zhvillua me mbështetjen e projektit “Bashkëpunimi Rajonal për Integrimin në BE (RCEI)”, financuar nga Ministria gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Iven Schad, sekretar i parë i Ambasadës gjermane në Shqipëri, theksoi mbështetjen e Gjermanisë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Tabaku dhe Resulaj theksuan se zgjerimi i BE-së është në interes të rajonit dhe vetë Unionit dhe vlerësuan bashkëpunimin në nivel rajonal në arritjen e këtij qëllimi.

Në konferencë u prezantua dokumenti “Parimet e kontrollit efektiv parlamentar në procesin e integrimit europian”, i cili përmbledh eksperiencën më të mirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e zgjerimit, duke u fokusuar në rolin legjislativ dhe kontrollues të Parlamenteve, diplomacinë parlamentare, kapacitetet institucionale të administratës së parlamenteve, komunikimin dhe vizibilitetin e Parlamenteve në procesin e integrimit europian.  (Irma)