Nurije Myftari, këngëtarja që edukon brezin e ri për muzikën
2024-09-14 16:40:18

Nurije Myftari ka mbaruar Universitetin e Arteve në degën e muzikës klasike, dhe prej 30 vitesh punon si mësuese muzike. Ajo përveç angazhimit disavjeçar në mësimdhënie, nuk është shkëputur asnjëherë nga interpretimi i këngës popullore, kryesisht të Shqipërisë së mesme. Ka marrë pjesë në mjaft koncerte e festivale, brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësuar me çmime. Gjithashtu Nurija prej 20 vitesh është pjesëtare e Ansamblit të Tiranës. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për karrierën e saj artistke, aktivitetet e këngës popullore si dhe eksperiencën si mësuese muzike.

Nurije Myftari duke kenduar (Facebook)

Nurije Myftari duke kenduar (Facebook)

CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me muzikën e mirëfilltë popullore?

Nurije Myftari: Sigurisht që fillimet e një rruge të gjatë siç është karriera artistike dhe muzika, patjetër që fillojnë që në fëmijëri, vazhdon me shkollimin dhe rrugëtimin në hapat e para të interpretimit të muzikës së lehtë dhe asaj popullore, që nga festivalet e fëmijëve dhe deri në vazhdim. Muzika popullore qytetare është brenda meje sepse ka qenë gjatë gjithë rrugëtimit tim, dhe për faktin që unë vetë jam e lindur dhe rritur në Tiranë, e edukuar edhe me muzikën popullore qytetare tiranase, të cilën e kam trashëguar. Sot mbas një përvoje shumë të gjatë jam identifikuar tek muzika popullore tradicionale, gjë të cilën e kam ruajtur dhe vazhdoj ta ruaj me fanatizëm të jashtëzakonshëm. Unë jam prërpjekur të marr gjithmonë më të mirën tek ata breza paraardhës të mi, siç janë Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Hamide Stringa e këngëtarë të njohur të muzikës popullore tradicionale të Tiranës, por dhe të trevave të tjera, duke mbetur gjithmonë tek tradiconalja. Kam pëlqyer të jap gjithmonë më mirën e mundshme.

Nurije Myftari ne skende duke interpretuar (Facebook)

Nurije Myftari ne skende duke interpretuar (Facebook)

CMG: Prej vitesh punoni si mësuese muzike, duke edukuar brezin e ri në formimin muzikor. Si ka qenë si eksperiencë fusha e mësimdhënies?

Nurije Myftari: Unë jam përpjekur krahas interpretimit të këngës, të jem dhe te mësimdhënia, që për mua është një art më vete dhe i bukur, ku nuk i kam ndarë asnjëherë nga njëra-tjetra. Kur njeriu ka një përvojë të gjatë pune, në mësimdhënie apo në interpretimin e këngës, patjetër që përpiqet të japë më të mirën. Ajo që unë kam kërkuar dhe kërkoj gjithmonë tek fëmijët, është që t’i jap disa nuanca edhe punës time, duke ngelur tek trashëgimia dhe kultura popullore, sepse është shumë e rëndësishme.

Ne në shkollë krahas mësimdhënies dhe njohurive muzikore, siç është solfezhi, historia e muzikës, kemi gjithashtu mënyrën e interpretimit të këngës dhe dëgjimi, që nxënësit të dinë ta njohin kulturën tonë popullore. Gjithashtu bëjmë dhe historinë e muzikës shqiptare tek klasa e tetë, për të njohur kompozitorët tanë, sepse jemi shqiptarë dhe duhet të ruajmë identitetin tonë, dhe këtë e bëj sinqerisht me forcë të madhe. 

Nurije Myftari ne skene (Faceboook)

Nurije Myftari ne skene (Faceboook)

CMG: Keni qenë pjesëmarrëse në disa aktivitete të muzikës popullore, siç është dhe Festivali Folklorik i Gjirokastrës. Si je ndjerë në këto aktivitete të këngës populllore?

Nurije Myftari: Unë vazhdoj ta këndoj dhe ta ruaj muzikën popullore qytetare ashtu siç është. Në vitin 2004 kam marrë pjesë për herë të parë në Festivalin Folklorik të Gjirokashtrës me këngën “Valizakja”, një nga këngët perla të Tiranës. Në atë festival kam marrë çmimin “Laurante e Festivalit”. E kam ndjerë veten shumë të vlerësuar në këtë festival. Unë kam marrë dhe çmime të tjera në festivale të ndryshme të këngës popullore, siç janë ai i vitit 2012 ku mora çmimin e parë të festivalit me këngën “Jelekun kadife” dhe kjo një këngë shumë e bukur, Gjithashtu jam paraqitur në aktivitete të ndryshme me këngët perla, “Çu dëshirush me të pa”, “Mu aty te shtatë zymbylat”  dhe shumë këngë të tjera, me të cilat jam vlerësuar nëpër festivale të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

CMG: Keni 20 vite që je pjesë e Ansamblit Popullor të Tiranës, duke marrë pjesë në mjaft koncerte e festivale brenda dhe jashtë vendit. Flasim për angazhimin tuaj me këtë ansambël

Nurije Myftari:  Kam 20 vite që jam në Ansamblin e Tiranës dhe vazhdoj të jem. Pothuajse në të gjitha festivalet ku kam marrë pjesë jam vlerësuar. Nuk kam shkuar asnjëherë për të marrë çmim, por mendoj se i kam merituar vlerësimet.

Nurije Myftari gjate nje eventi (Facebook)

Nurije Myftari gjate nje eventi (Facebook)

CMG: Si ka reaguar publiku i huaj kur keni interpretuar nëpër koncerte e festivale jashtë vendit?

Nurije Myftari: Publiku i huaj është mrekulluar jo vetëm nga kënga dhe muzika, por edhe nga veshjet popullore, sepse ne kemi dhe grup vallesh në ansambël. Jemi ndjerë si grup shumë të vlerësuar, gjithmonë kemi marrë çmime të para. Unë personalisht e kam ndjerë veten shumë mirë kudo që kam shkuar, ndoshta më e mbivlerësuar në këto festivale. Mendoj se nëse ka kritika më bëjnë më mirë, dhe unë ato vlerësoj më shumë sesa vlerësimin me çmime.

Nurije Myftari me kostum popullor (Facebook)

Nurije Myftari me kostum popullor (Facebook)

CMG: Si ndjeheni kur vishni kostumin popullor tradicional të Tiranës?

Nurije Myftari: Patjetër që ndjehem mirë, është krenaria ime, është kultura dhe tradita ime. Unë nuk mund ta shoh veten time jashtë veshjes popullore tradicinale.

CMG: Përveç muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, këndoni dhe këngë të muzikës së lehtë apo serenata. Ju ka pëlqyer gjithmonë ky zhanër muzikor?

Nurije Myftari: Hapat e mia të para në muzikë nuk janë te popullorja. Unë kam studiuar për muzikë klasike në Universitetin e Arteve. Sigurisht që hapat e para kanë qenë në muzikën e lehtë dhe atë të huaj. Pastaj kam vazhduar me muzikën popullore, por kam kënduar gjithmonë këngë të muzikës së lehtë dhe vazhdoj akoma të këndoj sepse vazhdon të jetë pasioni im. Dikur nuk e mendoja kurrë se do të isha këngëtare e muzikës popullore.

Nurije Myftari ne nje koncert (Facebook)

Nurije Myftari ne nje koncert (Facebook)

CMG: Si ndjeheni kur këndoni live para artdashësve?

Nurije Myftari: Kur këndoj live kam më shumë emocion. Unë kam kënduar gjithmonë live nëpër skena të ndryshme, festivale e kudo. Artisti mbushet shpirtërisht, dhe mua kjo më jep ndjesinë dhe emocionin e bukur, që unë po këndoj live dhe po marr një emocion që më mbush shpirtin.

CMG: Mendoni se brezi i ri sot e do muzikën popullore tradicionale?

Nurije Myftari: Brezi i ri nuk e ka qejf muzikën popullore, pavarësisht se neve na del për detyrë gjithmonë që t’ja vëmë në dukje se muzika popullore qytetare dhe ajo folklorike është trashëgimia jonë. Ne e kemi për detyrë që t’u imponojmë brezave që kjo është kultura jonë. Ka fëmijë që e pëlqejnë, e interpretojnë këngën popullore, por dhe e shprehin duke kërcyer. Gjithësesi brezi i ri është më tepër tek muzika e lehtë dhe ajo bashkëkohore.

Nurije Myftari (Facebook)

Nurije Myftari (Facebook)

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë, miqtë dhe adhuruesit tuaj.

Nurije Myftari: Ju falenderoj ju për këtë nismë shumë të mirë, sepse është një element i rëndësishëm që ndihmon në trashëgiminë tonë, dhe atë çfarë ne kërkojmë, për të ruajtur dhe trashëguar kulturën dhe traditën tonë popullore, muzikën qytetare dhe atë folklorike. Gjithmonë do përpiqem të bëj më të mirën, që në sy të publikut unë të jem sa më perfekte.

Intervistoi: Gazmend Agaj