Histori dhe aktualiteti mbi tensionet në Detin e Kinës Jugore
2024-09-14 09:19:49

Tensionet midis Kinës dhe Filipineve në Detin e Kinës Jugore datojnë  nga viti 1999 kur një anije filipinase u ankorua  në  shkëmbinjtë detarë për shkak të një defekti mekanik. Prej 25 vjetësh janë shënuar përplasje të përsëritura mes rojeve bregdetare kineze dhe filipinase. Diplomacia kineze ka theksuar shpesh faktin se Kina kërkon që Filipinet të respektojnë faktet dhe të zbatojnë konsensusin e arritur mes dy vendeve, duke u nisur në rrugën e dialogut për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Pikërisht për këtë është krijuar Mekanizmi Dypalësh për Detin e Kinës Jugore, i cili u mblodh të mërkurën në Pekin, i kryesuar nga zv. ministri i Jashtëm kinez Chen Xiaodong dhe nënsekretarja e Punëve të Jashtme të Filipineve Maria Theresa Lazaro. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së jashtme të Kinës thuhet se “Të dyja palët patën një shkëmbim “të sinqertë dhe të thelluar” pikëpamjesh lidhur me çështjet detare, veçanërisht atë të gumës Xianbin” Gjithashtu në deklaratë thuhet se  pala kineze përsëriti qëndrimin e vet parimor dhe i kërkoi palës filipinase që të tërhiqte menjëherë anijet nga ujërat përkatëse. Të dyja palët ranë dakord gjithashtu të ruanin komunikimin nëpërmjet kanaleve diplomatike, si mekanizmi konsultativ dypalësh, thuhet në deklaratë. Në intervistë për Radio Ejani prof. Enver Bytyçi, ekspert i njohur i zhvillimeve ndërkombëtare analizon situatën aktuale në Detin e Kinës Jugore dhe përpjekjet diplomatike për negocimin e mosmarrëveshjeve midis Kinës dhe Filipineve.

Profesor Enver Bytyçi

CMG: Me synim sheshimin e tensioneve midis Kinës dhe Filipineve lidhur me Detin e Kinës Jugore u zhvillua të mërkurën në Pekin takimi i Mekanizmit Dypalësh për Detin e Kinës Jugore. Bisedimet u kryesuan nga zv.ministri i Jashtëm kinez Chen Xiaodong dhe nënsekretarja e Punëve të Jashtme të Filipineve Maria Theresa Lazaro. Pas takimit u deklarua  se të dyja palët ranë dakord të ruanin komunikimin nëpërmjet kanaleve diplomatike, si mekanizmi konsultativ dypalësh lidhur me çështjet detare. Si e komentoni këtë takim, a do të ndikojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy palëve?

Prof. Enver Bytyçi: Problematikat në Detin e Kinës Jugore janë prej kohësh. Ka konflikte dhe mosmarrëveshje midis shteteve për përkatësinë e ishujve dhe të vijës detare. Është një konflikt potencial që ekziston dhe nuk mund të injorohet, por prej një çerek shekulli për këto çështje nga ana e Kinës bisedohet me Filipinet, por edhe me vende të tjera të rajonit dhe për pasojë deri më sot është ruajtur balanca dhe stabiliteti në këtë pjesë të kontinentit aziatik.

Unë besoj që politika dhe diplomacia kineze i përmbahen dhe do t’i përmbahen në të ardhmen me durim rrugës së zgjidhjeve nëpërmjet paqes të të gjitha problemeve dhe konflikteve që ekzistojnë në kontinentin aziatik, me Detin e Kinës Lindore, Detin e Kinës Jugore dhe kudo që ekzistojnë ato.

Si në çdo rajon tjetër të botës edhe kjo zone ka problematikat e saj, konfliktet, mospajtimet sidomos kufitare, detare, ndoshta dhe tokësore. Kemi pare se gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të këtij shekulli në përgjithësi ka patur përmbajtje si cilësi kryesore e politikës dhe diplomacisë së të gjitha vendeve, por në veçanti të Kinës.

Bisedimet që janë zhvilluar për çështjen  në fjalë për zgjidhjen e çështjeve të kontestuara në Detin e Kinës Jugore midis Kinës dhe Filipineve janë bisedime në vazhdim, të cilat synojnë dhe shprehin gatishmërinë e diplomacisë kineze për një impenjim paqësor në zgjidhje të problemeve. Sigurisht që është e vështirë të shkohet drejt një zgjidhjeje përfundimtare sepse konflikti është prej kohës dhe kontestimet janë të mëdha.

CMG: Meqenëse nuk kemi njohuri të shumta lidhur me këtë mosmarrëveshje edhe për faktin se gjeografikisht ndodhemi larg tij,  nëse hedhim një vështrim në historinë e këtyre mosmarrëveshjeve, cili ka qenë shkaku i tyre?

Foto:MPJ

Zv.ministri i Jashtëm Chen Xiaodong takohet me nënsekretaren e Punëve të Jashtme të Filipineve Maria Theresa(Foto nga MPJ)

Prof. Enver Bytyçi: Shkaku kryesor është se çdo pale kërkon të ketë një hapësirë lirie sidomos në ushtrimin e tregtisë. Ai korridor i ushtrimit të tregtisë me botën është një ndër korridoret më të rëndësishëm në botë dhe për pasojë vëllimi i mallrave që qarkullon në këtë korridor të Detit të Kinës Jugore me pjesën tjetër të botës përbën rreth 70% të volumit tregtar të Kinës, ndaj është një ndër korridoret më të fuqishëm. Për këtë arsye Kina është e interesuar ta kontrollojë këtë korridor dhe për ta bërë këtë nga pikëpamja gjeostrategjike dhe politike do t’i duhet të ketë kontroll edhe mbi sipërfaqen ujore të tij. Kontestimet burojnë nga shkaqe historike, nga konflikte të cilat kanë të bëjnë sidomos me përkatësinë e ishujve.

Nëse Filipinet pengojnë në zona të ndryshme nëpërmjet pretendimeve për pronësinë e ishujve, atëhere Kinës  i  pengohet rruga e zhvillimit të marrëdhënieve tregtare me pjesën tjetër të botës dhe dihet që tashmë Kina është një superfuqi e madhe, ndaj kërkon hapësira detare për të zhvilluar tregtinë me botën. Jo më kot është marrë iniciative e Rrugës së Mëndafshit apo ajo me vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore sepse të gjitha këto janë në funksion të hapësirave më të mëdha për tregti, investime dhe për qarkullimin e kapitalit midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës.

Kinës jo vetëm i intereson, por edhe i takon që për shkak të volumit të madh të mallrave të posedojë rrugë detare të garantuara për të plotësuar interesat e veta tregtare, ekonomike dhe financiare. Është e natyrshme që një komb me 1 miliard e gjysmë banorë të ketë hapësira të tilla sepse ndryshe nuk do të mbahej dot.

Së dyti, kontestimet historike të përkatësive janë ende të padefinuara plotësisht nëse janë në favor të Kinës, apo të vendeve të tjera. Bisedimet bëhen pikërisht për këtë arsye, për të bindur palët që të ketë një zgjidhje të pranueshme me kompromis, që të dy palët të jenë të kënaqura. Nuk besoj që një rrugë tregtare e Kinës në Detin e Kinës Jugore do të cenonte interesat themelore ose imediate të Filipineve, por ka një frikë joreale se po të lëshohet pe këtu atëhere Kina do të kërkojë më shumë, apo të jetë hegjemone në të gjithë rajonin, do të kërkojë t’u imponohet Filipineve apo një shteti tjetër. Kështu krijohet ideja se Kina duhet mbajtur në izolim për shkak siç thuhet të ambicjeve të saj për ndikim dhe imponim të politikave të diplomacisë, tregtisë, investimeve të kapitalit në rajonin e Indokinës, siç quhet.

Edhe nëse Kina do të kishte potencial të fuqishëm dhe aftësi ushtarake, politike, ekonomike të zgjeronte ndikimin dhe influencat e saj, mendoj se do t’i përmbahej rrugës paqësore, të mirëkuptimit dhe të interesave të ndërsjella dhe të përbashkëta midis saj dhe vendeve të tjera, apo rajoneve dhe kontinenteve të tjera.

Foto:VCG

Anija rojës bregdetare filipinase BRP Cabra përplaset enkas me anijet kineze në ujërat rreth gumës Xianbin, gusht 2024, Det i Kinës Jugore(Foto nga VCG)

Kina nuk është imponuese si fuqi të tjera perëndimore ose jo ndaj vendeve të tjera, kjo për shkak se politika e Kinës dhe diplomacia e saj bazohen në  konceptin konfucian të drejtësisë dhe barazisë e humanizmit. Nëse një vend, sado i fuqishëm të jetë, i përmbahet këtyre koncepteve të trashëguara nga antikiteti dhe të predikuara e të zbatuara pak a shumë edhe gjatë periudhës së komunizmit në faza të ndryshme të zhvillimit të tij në Kinë, mendoj se ky vend nuk imponohet me dhunë në asnjë rast. Kjo për arsye se thelbi i humanitetit dhe drejtësisë është zgjidhja e çdo konflikti nëpërmjet bisedimeve, rrugës paqësore dhe dialogut. Deri më sot kjo ka qenë karakteristika themelore e Kinës në marrëdhënie  me të gjitha vendet e tjera.

Unë e kam studiuar politikën dhe diplomacinë e Kinës në Shqipëri në periudhën e komunizmit kur ishin marrëdhënie të shkëlqyera midis dy vendeve dhe kam vënë re që diplomacia kineze në asnjë rast, ndryshe nga diplomacia sovjetike më pare, apo diplomacia jugosllave akoma më pare, nga dokumentet arkivore në asnjë rast nuk ka shprehur imponim për Shqipërinë e asaj kohe në politikat e saj të jashtme apo të brendshme. Kina e atëhershme, një vend me 800 milion banorë që nuk i imponohej një vendi tjetër me 2 milion e gjysmë banorë, do të thotë që respekton edhe vendet më të vogla në sovranitetin, vendimarrjen e tyre. Ky tipar dallues i asaj kohe unë mendoj që zhvillohet akoma më shumë në kohët e sotme në Kinë.

CMG: Në botën e trazuar, ku dallohen dy konflikte që nuk po shkojnë drejt paqes, por përshkallëzimit, Rusi-Ukrainë dhe izraelito-palestinez, a do të ndikonte negativisht ky konflikt në Azi në drejtim të stabilitetit global?

Prof. Enver Bytyçi: Media të caktuara i japin shumë popullaritet sikur në Detin e Kinës Jugore do të ketë një konflikt të ri, ashtu siç bëhet edhe për Ballkanin. Por unë mendoj që as në Detin e Kinës Jugore dhe as në Ballkan nuk do të ketë konflikt ushtarak për arsye se nuk ka rrethana dhe kushte për të patur konflikte të tilla. Konfliktet ushtarake krijohen nga tensione shumë të larta midis vendeve. Bisedimet që janë zhvilluar ditët e fundit midis të dy palëve dëshmojnë që të dy palët nuk janë të interesuara që të ketë një konflikt të armatosur. Palët kanë një maturi të jashtëzakonshme, ndryshe nga shumë rajone të tjera.

Maturia, urtësia, durimi, karakteristika e peshimit të gjërave në diplomacinë kineze  mendoj se do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Deri tani nga kjo karakteristikë mund të mësojnë të gjitha vendet e tjera.

Foto:VCG

Anija kineze ndermerr masa kundër anijes filipinase që hyn ilegalisht në ujërat e ishullit Huangyan të Kinës, dhjetor 2023(Foto nga VCG)

Intervistoi Eda Merepeza

 

Prej dekadash Kina dhe Filipinet janë në konflikt të hapur për shkak të kontrollit të hapësirës në Detin e Kinës Jugore. Historikisht kjo zonë detare i përket Kinës që në shekullin e dytë, para gati 1900 vitesh. Nga pikëpamja e nevojave aktuale ajo veçon faktin se hapësira detare e Detit të Kinës Jugore është nevojë jetike për qarkullimin e mallrave të eksport-importit kinez, të cilat kanë një volum të qarkullimit të mallrave më të madhin në botë. Kina është eksportuesja e dytë më e madhe e mallrave dhe qarkullimi i tyre vetëm në këtë hapësirë detare kap shumën prej 3 bilion dollarësh amerikanë. Për këtë arsye kjo hapësirë detare e qarkullimit të mallrave konsiderohet edhe si autostrada detare e Kinës.

Por në hapësirën e Detit të Kinës Jugore ka shumë ishuj të vegjël, shumica të pabanueshëm, të cilët i pretendojnë disa shtete të tjera të rajonit. Aktualisht janë Filipinet në konflikt të hapur në pretendim të këtyre ishujve. Historia e konfliktit kino-filipinas është shumë interesante.  Filipinet pushtuan në vitin 1970 një ishull të quajtur Thitu (Pagasa) me një sipërfaqe preh 32 hektarësh dhe dëbuan prej tij 200 banorët kinezë të saj. Pushtuan dhe shtatë ishuj të tjerë. Prej asaj kohe ajo ka stacionuar një numër ushtarakësh dhe mban të pushtuar ishujt West York, Northeast Cay, Nanshan dhe Loaita. Megjithatë pjesën dërmuese të ishujve dhe të sipërfaqes së Detit të Kinës Jugore e kontrollon Pekini.

Ndërkohë autoritetet filipinase janë ankuar vazhdimisht, se ato ndjehen të kërcënuara nga ana e forcave të armatosura të Republikës Popullore të Kinës për shkak të këtij pushtimi. Me këtë pretendim lidhën marrëveshje të bashkëpunimit ushtarak me SHBA-të dhe prej vitit 1991 zhvillohen çdo vit manovra ushtarake të përbashkëta të emërtuara “Krah për krah”, duke dëshmuar kësisoj solidaritet midis tyre kundër mundësisë së intervenimit ushtarak të shtetit kinez.  Megjithatë rastet konfliktuale nuk janë ndalur. Përplasja ka qenë e shumëllojshme, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe atë të tregtisë, peshkimit etj. Ndërkohë grindjet vazhdojnë për zonën ekonomike të pasur jo vetëm me prodhime deti, por edhe me pasuri nëntokësore, sidomos në fushën e energjisë.

Foto:VCG


Manovra të përbashkëta ushtarake ShBA-Filipine, vit2023(Foto nga VCG)

Rastet e përplasjeve midis dy shteteve janë shtuar sidomos pas vitit 1999. Mund të përmenden ato të vitit 2012 ose 2016, si dhe të dhjetorit të kaluar, deri në ditët e sotme. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar shefi i diplomacisë kineze  paralajmëroi se marrëdhëniet midis Kinës dhe Filipineve janë në nivelin e paralizës. Prej kësaj kohe përplasjet vazhdojnë. Por duket se prezenca amerikane në Detin e Kinës Jugore vetëm se i ka acaruar marrëdhëniet e këtyre dy vendeve dhe shton rrezikun e një konflikti. Megjithatë autoritetet kineze nuk kanë përdorur dhunë shpërporcionale për pushtimin e ishullit. Ushtria kineze është e pranishme në zonën detare në fjalë për të garantuar veprimtarinë tregtare e në peshkim të vendit, por në përgjithësi sjelljet e saj janë të matura dhe në mbrojtje të së drejtës detare të saj.

Megjithatë, në politikën kineze dhe sjelljet e saj mungon arroganca dhe sjellja prej padroni, karakteristikë kjo tipike për disa prej fuqive të mëdha të kohëve të sotme. Në fakt shumicës dërmuese të Fuqive të Mëdha ju ka munguar maturia e tipit kinez gjatë dy shekujve të fundit. Sa i përket zonës në fjalë, sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillari Clinton e patin shpallur atë në vitin 2012 si sferë të interesit jetik amerikan. Kurse Departamenti i Shtetit në Uashington shprehet për ngjarjet e fundit për atë si “për kërcënim të paqes e stabilitetit nga ana e Kinës në rajon”! Retorika e akuzave, sikur Kina është problemi dhe synon konflikte e luftëra në rajon, deri tani nuk është konfirmuar në asnjë rast.

Megjithatë Republika Popullore e Kinës është aty prej dy mijë vitesh, shumë kohë para sesa të rigjallërohen orekset filipinase, si dhe të disa shteteve të tjera të rajonit. Para vitit 1970, kur Filipinet pushtuan disa ishuj, nuk kishte incidente ose ngjarje konfliktuale. Ndaj dhe duhet thënë se sa më shumë forcohet shteti e kombi kinez, aq më shumë bëhen ndërhyrje për ta nxit atë në konflikte ushtarake me fqinjët. Filipinet është rasti më ekstrem, krahas Tajvanit. Këto janë dy pikat e nxehta me të cilat rivalët e Kinës përpiqen të kenë sukses në zgjerimin e konfliktit në Azinë Lindore e Jugore. Në këto kushte autoritetet kineze qëndrojnë në një lloj ekuilibri dhe janë të kujdesshëm që të mos japin asnjë shkas për konflikt. Madje ato kanë mundur të përballojnë me sukses edhe presionet e gjithëllojshme, të cilat Pekini shumicën e rasteve i trajton si provokime për konflikt.

E kam thënë dhe herë të tjera. Kina nuk duhet shtyrë në konflikte, qofshin këto të karakterit lokal. Bota është e mbushur plot me konflikte të tilla sot. Nëse hyjnë në konflikte të natyrave të tilla edhe vende e kombe si Kina, Turqia apo ndonjë tjetër vend tipik asnjanës në zhvillimet e sotme ndërkombëtare, atëherë Lufta e Tretë Botërore do të ishte e pashmangshme.

Enver Bytyçi