foto nga VCG
Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Perëndimi do të futej në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë, nëse do ta lejonte Ukrainën të përdorë raketat e veta me rreze të gjatë veprimit për të sulmuar thellë në territorin rus, shkruan “RTSH”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që i bën thirrje Perëndimit t’i heqë kufizimet ndaj vendit të tij në këtë drejtim.
foto nga VCG
Presidenti Putin tha se një veprim i tillë do t’i zhyste drejtpërdrejt në luftë me Rusinë vendet të cilat e furnizojnë Ukrainën me raketa me rreze të gjata veprimi, sepse të dhënat satelitore për shënjestërim dhe programet për rrugët e fluturimit të raketave do të duhej të kryheshin nga personeli ushtarak i NATO-s, meqë Ukraina nuk ka mundësi ta bëjë këtë vetë.
“Nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për ta lejuar apo jo Ukrainën ta godasë Rusinë me këto armë. Çështja është a të merret vendim për t’i lejuar apo jo vendet e NATO-s të përfshihen drejtpërdrejt në një konflikt ushtarak”,- tha Putin gjatë një interviste televizive.
foto nga VCG
“Nëse merret vendimi, do të thotë se vendet e NATO-s, SHBA-ja dhe vendet europiane do të përfshihen drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë. Kjo, natyrisht, do ta ndryshojë dukshëm vetë thelbin dhe natyrën e konfliktit”,- tha ai, duke theksuar se Rusia do të detyrohet të marrë vendime bazuar në kërcënimet e reja.
Perëndimi është duke diskutuar nëse duhet ta lejojë apo jo Ukrainën t’i përdorë armët me rreze të gjata për sulme në Rusi. (Irma)