Kryeministri Rama: Oficerët e sigurisë në shkolla janë syri dhe veshi i prindërve
2024-09-14 19:27:41

Oficeret e sigurise ne shkolla (Foto Atsh)

Oficeret e sigurise ne shkolla (Foto Atsh)

Oficerët e sigurisë në shkollat shqiptare do të jenë syri dhe veshi i prindërve, deklaroi kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zhvilluar në një shkollë të Tiranës, lidhur me sigurinë në shkolla, ku janë angazhuar 240 oficerë sigurie në mbarë vendin, shkruan “ATSH”.

Rama tha se projekti për futjen e oficerit të sigurisë në shkolla nisi në vitin 2019, në gjimnazin “Qemal Stafa”, në kryeqytetin shqiptar, si rezultat i shqetësimeve të shprehura nga mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe prindërit. 

“Ka nisur si një projekt dhe sot ka marrë formë dhe na ka dhënë të gjitha arsyet për të parë një ndryshim të rëndësishëm dhe për të kuptuar se duhet ta fuqizojmë edhe më shumë sigurinë në shkolla. Nuk është çështje policësh, janë njerëz të kualifikuar për temën e sigurisë dhe janë aty si një urë ku kalojnë të gjithë dhe duhet të garantojnë informimin e të gjithëve dhe bashkëveprimin me të gjithë”,- tha kryeministri Rama.

Ai theksoi se ata janë në vend të prindërve që vëzhgojnë nga larg fëmijët, që kujdesen për të kuptuar shqetësimet e tyre, që përpiqen të gjejnë problemet duke ndjekur ndërveprimet mes tyre, u afrohen fëmijëve t’i këshillojnë, i ndihmojnë të marrin një vendim të drejtë në një moment kur ka një keqkuptim, që mbajnë marrëdhënie të ngushta me drejtuesit e shkollës dhe mësuesit dhe që janë syri dhe veshi i vetë prindërve me fëmijën.

Oficerët e policisë, theksoi kryeministri Rama, kanë një mision të njohin me emër çdo fëmijë, që të dinë se në çfarë humori, situate psikologjike është fëmija dhe kjo është një punë shumë e ndërlikuar që kërkon një ndëveprim të afërt edhe me psikologët.

Rama tha se sot ka qindra psikologë të atashuar në shkolla. Sipas tij, nevoja për ta rritur cilësinë e performancës së këtyre dy figurave është shumë e qartë dhe është një fakt që ata janë në shkollë për të ndihmuar nxënësit. (Irma)