foto nga Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping i kërkoi provincës Gansu në Kinën veriperëndimore të thellojë reformat, të bëjë risi dhe të kryejë punë solide për përmirësimin e mirëqenies së njerëzve dhe prosperitetin e rajonit, për të shkruar kapitullin Gansu në modernizimin kinez.
Xi, gjithashtu Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK dhe Kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i bëri deklaratat gjatë një inspektimi nga e marta në të premte.
Gansu duhet të ndërmarrë hapa solidë në përmirësimin e ruajtjes dhe restaurimit ekologjik, përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe me karbon të ulët, thellimin e mëtejshëm të reformave dhe hapjen gjithëpërfshirëse, promovimin e rigjallërimit rural të përgjithshëm, sigurimin më të mirë të jetesës së njerëzve dhe forcimin e unitetit etnik, tha Presidenti Xi gjatë turneut të tij të inspektimit në provincën Gansu.
Të martën pasdite, Xi vizitoi Tempullin Fuxi në qytetin Tianshui, ku mësoi për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Tempulli i kushtohet Fuxit, një paraardhës mitik i kombit kinez.
“Është e domosdoshme të mbrohet dhe të përçohet trashëgimia e çmuar kulturore, në mënyrë që mençuria dhe krijimtaria e paraardhësve të frymëzojnë vazhdimisht brezat e ardhshëm, duke rritur krenarinë dhe besimin kombëtar”, tha Xi.
Të mërkurën paraditen, Presidenti Xi dëgjoi raportimin për një projekt lokal të devijimit të ujrave. Ai kërkoi mirëmbajtje dhe menaxhim më të mirë të projektit, në mënyrë që të luajë një rol më të madh në përmirësimin e jetës së njerëzve.
Gjatë vizitës së tij në një bazë të prodhimit të mollëve Huaniu, ai theksoi rëndësinë e optimizimit të kultivimit të këtij varieteti dhe modeleve inovative të marketingut, në mënyrë që kjo industri e specializuar të zgjerohet dhe sa më shumë njerëz të rrisin të ardhurat e tyre nëpërmjet saj.
Xi më pas vizitoi Shpellat Maijishan, ku inspektoi me kujdes shpellat, skulpturat dhe pikturat që datojnë mbi 1600 vjet më parë.
Ai u bëri thirrje punonjësve të relikeve kulturore që të japin kontribut më të madh në promovimin e ruajtjes dhe zhvillimit inovativ të kulturës tradicionale të Kinës dhe rritjen e ndikimit të saj.
Të mërkurën pasditen, Presidenti Xi mbërriti në kryeqytetin e provinces Gansu, Lanzhou. Në një komunitet rezidencial lokal, ai theksoi domosdoshmërinë e fokusimit në nevojat praktike të banorëve, veçanërisht të të moshuarve dhe fëmijëve, si edhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve komunitare.
Gjatë vizitës së tij tek anëtari i Partisë në pension Li Zongbiao, Xi tha se autoritetet lokale kanë punuar shumë në ofrimin e pëkujdesjes për të moshuarit, kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve komunitare, ndaj puna duhet të vazhdojë dhe të përmirësohet me kalimin e kohës.
Duke folur me banorët vendas, Xi tha se viti 2024 shënon 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës, ndaj populli kinez duhet të jetë më i bashkuar dhe të bëjë më shumë përpjekje për të krijuar arritje akoma më të mëdha.
Ai përshëndeti banorët për festën që po afron, Festën e Mesvjeshtës të këtij viti, e cila përkon më 17 shtator.
Xi më pas inspektoi seksionin e Lumit të Verdhë pranë urës Zhongshan në Lanzhou, ku mësoi për mbrojtjen ekologjike të "lumit mëmë" të Kinës. Ai bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta në mbrojtjen e lumit, në mënyrë që ai të jetë në dobi të popullit përgjithmonë.
foto nga Xinhua
Të premten në mëngjes, Xi dëgjoi raportin e punës nga Komiteti Provincial i PKK-së së provincës Gansu dhe qeveria provinciale.
“Gansu duhet të promovojë industrializimin e tipit të ri, të përshpejtojë transformimin dhe përmirësimin e industrive tradicionale, të ndërtojë një bazë të rëndësishme prodhuese kombëtare për energjinë e re dhe pajisjet e lidhura me të, si edhe të forcojë sigurinë ekologjike në pjesën perëndimore të Kinës”, tha Presidenti Xi.
Ai theksoi nevojën për të thelluar reformën dhe zgjeruar hapjen me më shumë guxim dhe vendosmëri, si edhe për të zbatuar me efikasitet strategjinë e re të urbanizimit me në qendër njerëzit.
Xi theksoi nevojën për të forcuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për ta shndërruar Akademinë Dunhuang në një shembull të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore globale dhe në një qendër studimesh në Dunhuang.
Ai bëri thirrje edhe për përpjekje për të avancuar ndërtimin e parqeve kulturore kombëtare kushtuar Murit të Madh, Marshit të Gjatë dhe Lumit të Verdhë.
“Duhen bërë përpjekje për të promovuar përparimin social dhe qeverisjen, për të hedhur themele të forta për prosperitetin e përbashkët për njerëzit e të gjitha grupeve etnike”, theksoi ai.
foto nga Xinhua
Gjatë rrugës për në Gansu, Presidenti Xi vizitoi të martën pasditen Muzeun e Mjeteve të Bronzit Baoji, në qytetin Baoji të provincës Shaanxi. Ai vlerësoi lart qytetërimin e bronztë të Kinës dhe bëri thirrje për mbrojtje më të mirë, kërkime dhe promovim të relikteve kulturore prej bronzi.
Presidenti kinez Xi Jinping inspektoi gjithashtu edhe një park ekologjik lokal buzë lumit BinJiang.
Cai Qi, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe Drejtor i Zyrës së Përgjithshme të Komitetit Qendror, shoqëroi Xi në turneun e inspektimit.
Të enjten në mëngjes, Presidenti Xi u takua me oficerë të lartë dhe përfaqësues të ushtarëve dhe stafit civil të trupave të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze, të stacionuara në Lanzhou. (Fang Xiaoyu/Elona)