foto nga VCG
Emigracioni i paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian ka pësuar një rënie vjetore me gati 35 për qind deri në muajin gusht.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Emigracionin bëri të ditur se në muajt janar-gusht 2024, në vendet e BE-së u raportuan gati 115 mijë emigrantë të ardhur pa leje përmes rrugëve të Mesdheut dhe Atlantikut, shkruan “RTSH”.
Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë u raportuan 176.252 ardhje.
Në vitin 2015 në BE hynë më shumë se 1 milion persona, kryesisht për t'i shpëtuar konfliktit në Siri.
Edhe të dhënat nga Agjencia Europiane për Mbrojtjen e Kufijve, FRONTEX, tregojnë një trend të ngjashëm. Kalimet në kufijtë jugorë të kontinentit ranë me gati 39 për qind krahasuar me vitin e shkuar.
foto nga VCG
Rruga kryesore që përdorin emigrantët nga Afrika e Veriut është ajo më e rrezikshmja, përmes Detit Mesdhe drejt Italisë.
Italia raportoi 64 për qind më pak emigrantë në brigjet e saj sesa në vitin 2023.
Ekspertët thonë se rënia e shifrave të emigrantëve ilegalë në BE vjen si rezultat i operacioneve të mbështetura nga Brukseli zyrtar në vendet e origjinës, si Tunizia dhe Libia.
Ndërkohë, një rritje alarmante e emigracionit të parregullt po raportohet në Afrikën Perëndimore drejt Ishujve Kanarie.
foto nga VCG
Kalimet nga kjo rrugë janë dyfishuar gjatë këtij viti në mbi 25.500 emigrantë të ardhur kryesisht nga Mali, Senegali dhe shtete të tjera të Afrikës Perëndimore. Emigrantët po ashtu kanë rrezikuar jetën në këtë shteg të ri dhe sipas grupeve spanjolle që merren me të drejtat e emigrantëve, më shumë se 4 mijë janë shpallur të zhdukur ose kanë humbur jetën në det. (Irma)