foto nga VCG
Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se forcat e saj kanë rimarrë 10 vendbanime të pushtuara nga forcat ukrainase në një inkursion të befasishëm në rajonin kufitar të Kurskut të Rusisë muajin e kaluar, shkruan “RTSH”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se Rusia kishte filluar veprime kundërsulmuese, të cilat janë në përputhje me planin ukrainas.
Rusia bëri të ditur se forcat e saj kishin rimarrë vendbanimet gjatë dy ditëve në zonën përreth Snagost, në krahun perëndimor të zonës së pushtuar nga Ukraina në fushatën e saj të nisur më 6 gusht.
foto nga VCG
Tregimi i parë për një kundërsulm kishte ardhur nga komandanti i forcave speciale çeçene, gjeneralmajor Apti Alaudinov, i cili tha se gjashtë brigada ukrainase kishin pësuar viktima të rënda.
Një oficer ukrainas që luftonte në rajonin e Kurskut deklaroi për mediet se kundërofensiva ruse kishte filluar në një distancë në perëndim të Sudzhas.
Ofensiva e Ukrainës filloi me qëllimin e dukshëm për të shpërqendruar Rusinë nga shtytja e saj në Ukrainën lindore. Tani ajo pretendon deri në 1300 km katrorë të territorit rus. Megjithatë, forcat ruse vazhduan të kapnin fshatra në Ukrainën lindore dhe po afrohen në qytetin strategjik të Pokrovsk.
foto nga VCG
Analistët nga Instituti për Studimin e Luftës me bazë në SHBA thanë se përmasat, shkalla dhe perspektivat e mundshme të kundërsulmeve ruse ishin të paqarta dhe ishte e parakohshme për të nxjerrë ndonjë përfundim.
Eksperti ushtarak rus, Anatoly Matviychuk, deklaroi për mediet se më shumë se 100 km katrorë territor ishte rimarrë dhe rezervat, përforcimet dhe furnizimet logjistike të kundërshtarit nuk mund të arrijnë më në rajonin e Kurskut. (Irma)