Arkeologët shqiptaro-italianë rinisin gërmimet në Finiq
2024-09-14 18:27:53

Germime arkeologjike (Foto Atsh)

Germime arkeologjike (Foto Atsh)

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Vlorë njoftoi se kanë rinisur gërmimet në Finiq. 

Në javën e dytë të shtatorit, projekti shqiptaro-italian, i përbërë nga Instituti i Arkeologjisë së Tiranës dhe Universiteti i Bolonjës, për të 25-tin vit radhazi rinisi gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Finiqit.

Gërmimet këtë vit janë përqëndruar në dy sektorë, në sektorin e Agorasë, ku gërmimet kanë për qëllim zbulimin e godinave dhe rrugëve kryesore të kësaj zone, si dhe në sektorin mbi shkallaren e teatrit antik, ku mendohet se ndodhen rrënojat e një monumenti me karakter fetar, shkruan “ATSH”.

Si përherë, gërmimet do të shoqërohen me masa paraprake konservimi, në bashkëpunim edhe me DRTK Vlorë.

Qyteti antik i Finiqit ndodhet 10 km në jugperëndim të Delvinës, mbi një kodër përbri fshatit Finiq. I njohur dhe si Foinika, ai është një qytet i lashtë ilir dhe kryeqyteti i kaonëve. Është gjithashtu vendi ku u hartua marrëveshja e Finiqit, me të cilën u përfundua Lufta e Parë Maqedone. (Irma)