“Fotografia dhe Aparati Fotografik”, një manual nga Kudret Plaku për artin e fotografisë
2024-09-13 17:00:46

Libri i fotografit Kudret Plaku

Libri i fotografit Kudret Plaku

 “Fotografia dhe Aparati Fotografik” është libri me autor Kudret Plakun, që u prezantua së fundi në tregun e librit si një udhëzues mjaft i mirë si për të pasionuarit ndaj fotografisë. Në këtë libër bëjnë pjesë këshilla praktike, të përshtatura me ilustrime, duke ofruar udhëzime të qarta për të kuptuar artin e kapjes së momenteve.  Sipas fotografit të njohur, Fadil Berisha “Ky libër është ideal për ata që nisin rrugën e fotografisë”. Por nuk është i vetmi që ka lënë një vlerësim, pasi autori ka zgjedhur personalitete të ndryshme, të japin opinionet dhe vlerësimet e tyre për këtë libër, i vetmi në llojin e tij, publikuar në Shqipëri. Shkrimtari Ben Blushi, i cili e pëlqen fotografinë, ndër të tjera në vlerësimin e tij shkruan: “Libri i fotografit të talentuar Kudret Plaku është një manual që të mëson si të bëhesh fotograf, pasi nga përvoja, nuk mjafton vetëm një kamerë për të bërë fotografi të mira dhe profesionale”. Gjithashtu në librin e tij kanë ndarë vlerësimet e tyre regjisori Eduart Grishaj e fotografi Fation Plaku. Fotografia ka fuqi të jashtëzakonshme për të kapur emocionet, apo edhe për të përcjellë emocionet tek njerëzit. Sipas fotografit Kudret Plaku, për të qenë një fotograf i suksesshëm, por dhe që të shkëlqesh në këtë profesion bashkangjitur talentit, mund të shprehësh edhe kreativitetin, pasi në këtë mënyrë e përcjell mesazhin më mirë në publik. Në intervistë për Radio Ejani, ai tregon se si lindi dëshira për të shkruar një libër për fotografinë.

Fotografi Kudret Plaku në intervistë për Radio Ejani

Fotografi Kudret Plaku në intervistë për Radio Ejani

CMG: Tashmë me anë të këtij libri “Fotografia dhe Aparati Fotografik” të gjithë ata që pëlqejnë fotografinë mund ta përdorin atë,  të mësojnë anën teknike të fotografisë. Si lindi ideja e këtij libri?

Kudret Plaku: Kohët e fundit të gjithë janë bërë në një farë mënyre fotografë dhe besoj se ky libër do u vijë në ndihmë. Idea lindi kur shpesh shokët më pyesnin, se si funksionon aparati, e shumë pyetje të tjera si këto. Kështu mendova që të bëj një libër ku t’i përmbledh të gjitha dhe tua dhuroj librin. Ndërkohë që hulumtova në bibliotekën shqiptare dhe nuk kishte një libër të tillë, kështu ndaj më lindi ideja që ta realizoja këtë libër, pasi librat teknikë për fotografinë janë të pakët e nuk kishte një libër të tillë. Ka libra vetëm me albume fotografike, por jo një libër për të mësuar. Unë kam mbaruar studimet edhe për multimedia-televizion digjital në Durrës dhe kemi punuar me leksione nga anglishtja në shqip, që ishin një rrëmujë e vërtetë. Pra jo vetëm në librari, por edhe në tekstet shkollore ka një mungesë të librave teknikë, sidomos për fotografinë. Kjo do jetë një mundësi e mirë për të gjithë njerëzit që e kanë pasion, por edhe të gjithë ata që duan ta kthejnë në një profesion.

CMG: Për të shkruar një libër duhet të jesh shumë i saktë në çdo detaj. Përveç anës teknike, kush të ka ndihmuar për të shkruar këtë libër ?

Kudret Plaku: Librin e kam shkruar vetë. Kam treguar si e kam nisur unë personalisht fotografinë, hapat e para. Për të mbërritur deri aty u jam referuar 82 librave në anglisht, gjithashtu kanë marrë pjesë edhe grafistët, personazhet ilustrues që të jetë sa e qartë për të gjithë njerëzit, përveç tekstit që kam shkruar.

CMG: Ky libër u vjen në ndihmë vetëm atyre që kanë një aparat profesional, apo edhe të gjithë atyre që kanë një celular dhe duan që të bëjnë foto cilësore?

Kudret Plaku: Unë nuk kam dashur që t’i kufizoj njerëzit, doja t’u jepja mundësinë edhe atyre që nuk e kanë një aparat fotografik. Libri është ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë flet për aparatin, ndërtimin dhe strukturën e tij, ndërsa pjesa e dytë flet për fotografinë, ku edhe me anën e një telefoni mund të realizojnë foto të bukura, thjeshtë duke mësuar këndet e duhura. Telefonat sot janë mjaft cilësorë dhe disa parametra të aparateve gjenden edhe në telefonat celularë.

CMG: Të gjithë tani mund të bëjmë foto cilësore?

Kudret Plaku: Nëse më parë duhet të shkrepnit 800 foto dhe mezi përzgjidhnit vetëm një, pasi të lexoni librin, mund të shkrepni 3- 4 foto dhe ato i keni të sakta. Kjo është një mundësi e mirë, për të gjithë ata që duan të fotografojnë me telefonat e tyre, sepse jo të gjithë e kanë mundësinë që të marrin një fotograf me vete, qoftë organizatat apo bizneset, janë ato që do u vijë në ndihmë libri dhe këshilla për fotografinë.

Foto e fotografit Kudret Plaku

Foto e fotografit Kudret Plaku

CMG: Mendon se mund të kesh konkurencë?

Kudret Plaku: Këtë gjë ma kanë thënë shumë, por unë jam tek pjesa e bashkëpunimit, sepse kam pasur shokë që i kam mësuar, të cilët sot i kam kolegë dhe e ndihmojmë njëri- tjetrin, pra e shoh si pjesë bashkëpunimi. Gjithsesi për gjëra më të detajuara, patjetër që kërkojnë një teknikë më të madhe, patjetër që duhet një fotograf dhe me eksperiencë. Me këto foto mund të mbuloni gjëra të vogla, por nëse doni që të avanconi më shumë, duhet më shumë punë dhe eksperiencë, për të qenë një fotograf profesionist. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të nisur rrugëtimin tuaj dhe ju mëson shumë. Një punë që mua më është dashur për tre vite që ta shkruaj, ju mund ta mësoni për një kohë mjaft të shkurtër dhe ta vendosni në praktikë.

CMG: Sa ka shkuar tirazhi i librit?

Kudret Plaku: Rreth 300 kopje si fillim, të cilat i shpëndava brenda një muaji, por mendoj se do bëhem gati për një ribotim shumë shpejt, pasi kam parë se kërkesat kanë qenë të shumta. Mendoj se ka qenë një libër i domosdoshëm, pasi të gjithë më kanë shkruar dhe më kanë falenderuar për këtë gjë, që nga të rinjtë deri tek më të vjetrit, të cilët e kanë pasur pasion fotografinë. Libri nuk është vetëm për fotografët, por për të gjithë personat që e duan fotografinë, madje kam parë avokatë, doktorë, psikologë që e kanë kërkuar librin. Por më së shumti besoj se u kam ardhur në ndihmë atyre që janë të etur për profesionin e fotografisë dhe që duan të zhvillohen më shumë. Nëpërmjet librit do zbuloni gjëra të reja.

CMG: Në këtë libër unë shoh disa vlerësime nga emra të njohur, si fotografi Fadil Berisha, shkrimtari Ben Blushi, një koment është nga Fation Plaku, ndërsa një tjetër nga regjisori Eduart Grishaj. Përse zgjodhe këta personazhë për të dhënë vlerësimet e tyre në këtë libër?

Kudret Plaku: Fotografia është shumë e gjerë, pavarësisht se ne fotografojmë çdo gjë nga fusha të ndryshme. Fotoreporterit i përket një fushë, të fotografosh futbollistët është një fushë tjetër e fotografimit. Nuk do të thotë se je fotograf dhe di të bësh me sukses foto të çdo lloji fushe fotografie. Secila fushë ka eksperiencën  e vet  dhe çdo individ mund ta shohë në një këndvështrim tjetër. Fadil Berisha është një fotograf shumë  i njohur ndërkombëtar dhe ishte ide e mirë për të marrë një vlerësim nga ai. Ben Blushi është një shkrimtar që i pëlqen fotografia dhe mendova që të bëja një lloj ndërthurrje, nga pikëpamja e një shkrimtari se si e sheh ai fotografinë dhe librin tim. Ndërsa Fation Plaku, i cili pëlqen fotografitë e natyrës, mendova të jepte një mendim, sidomos për pjesën e dytë të librit, që ka të bëjë me fotografinë artistike. Gjithashtu Eduart Grishaj më ndihmoi me një mendim si regjisor, se fotot dhe videot kanë disa rregulla të përbashkëta. Pra jam munduar të marr mendime nga këndvështrime të ndryshme, jo vetëm nga fotografë. Libri ka pjesën teknike dhe artistike sepse ka shumë njerëz që janë të aftë në anën teknike ndërsa disa të tjerë në pjesën artistike. Mund të dish rregullat, por pjesë e rëndësishme është edhe kreativiteti, këtu avancojnë fotografët. Të gjithë kemi mundësinë ta mësojmë aparatin, por është në dorën tuaj kreativiteti.

Kryeministri Edi Rama (Foto e fotografit Kudret Plaku)

Kryeministri Edi Rama (Foto e fotografit Kudret Plaku)

CMG: Ke pasur bashkëpunime me televizionet në Shqipëri. Çfarë  ke përfituar  nga eksperienca në televizion?

Kudret Plaku: Eksperienca në televizion më ka ndihmuar për shumë gjëra. Unë kam punuar edhe si kameraman dhe vazhdoj të punoj në terren për lajmet, ku kam parë që duhet shpejtësi. Që të fotografosh dhe të kapësh momentin si në foto ashtu edhe në video, duhet të jesh shumë vigjilent. Mund të jesh fotograf shumë i mirë, profesionist, se janë disa momente që duhen kapur në kohën e duhur dhe televizioni më ka shkathtësuar në këtë lloj drejtimi. Për shembull takimin e dy kryeministrave, kur ata të dy shtëngojnë dorën, pra duhet të jesh gjithmonë vigjilent, duhet të dish logjikën e ngjarjeve. Çdo fotograf kur shkon në një event duhet të dijë gjithmonë logjikën e ngjarjes se çfarë do të ndodhë dhe çfarë duhet.  Duke u angazhuar me televizionet, kam fotografuar edhe politikanë të njohur, në nivel kryeministrash, presidentësh të fushave të tjera, të cilët më kanë komplimentuar për fotografitë. Por më bashkëpunues gjatë momenteve të fotografimit kanë qenë ish kryeministri Berisha, si edhe Arman Duka.

CMG: Si fotograf ke marrë pjesë në shumë evente brenda vendit në Itali, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Turqi, etj. Çfarë do të veçoje nga këto eksperienca?

Kudret Plaku: Unë do të veçoja momentet e kaluara në Turqi, kur kam qenë në periudhën e tërmetit. Ishte një punë e bukur nga ana profesionale, se nuk kisha fotografuar ndonjëherë tërmet në nivele aq të larta. Aty mund të them se ka qenë momenti më i vështirë për të fotografuar. Kishte njerëz që dilnin nga rrënojat, njerëz që kishin humbur jetën, njerëz që qanin. Në përgjithësi jemi mësuar që kur i drejtojmë aparatin dikujt të thotë; “Të lutem mos më kap në foto”, ndërsa aty ata ishin me lot në sy dhe nuk thonin asgjë. Kam fotografuar njerëz që ishin dorëzuar. Atë ditë kisha marrë dronin me vete, po filmoja për televizionin, kur më vjen dikush dhe më thotë: “Më ka humbur motra, a mund ta kërkojmë me dronin tënd, aty në katin e dytë”? E mbylla transmetimin dhe fillova të kërkoja me dron motrën e atij djalit. Aty e kuptova që përveç artit dhe gjërave të bukura, fotografia dhe video vjen edhe si një lloj ndihme për njerëzit. Madje u them të gjithëve, është më bukur të fotografosh në terren se në studio, pasi aty e merr atë emocionin e vërtetë.  

Fotografi Kudret Plaku (Foto personale

Fotografi Kudret Plaku (Foto personale)

CMG: Ke fotografuar si momente të dhimshme si tërmetin në Turqi dhe momente gëzimi. Cilin zhanër të fotografisë bën me më shumë kënaqësi?

Kudret Plaku: Mua më pëlqejnë të gjitha llojet dhe fushat e ndryshme të fotografisë, por te natyra gjej veten dhe tek portetet e njerëzve. Fotografia përcjell një mesazh dhe në çfarëdo lloj fushe, e marr emocionin.

CMG: Fotografia ka qenë një pasion i yti që i vogël, apo lindi më vonë?

Kudret Plaku: Kur isha i vogël kishim një aparat nga ato me dritë, që një herë digjej, një herë dilte errësirë e ndonjëherë qëlloja. Atëherë e bëja për qejf, por nuk e kam pasur synim fotografinë. Më shumë më ka pëlqyer media, televizioni, që kanë qenë të lidhura me njëra- tjetrën. Kur nisa studimet për multimedia -televizion, aty e ndava mendjen që do vazhdoja për fotografinë. Duke qenë tip emocional, e kam gjetur veten tek fotografia. Nëse fotografon dikë që buzëqesh, përcjell një lloj lumturie tek njerëzit, nëse fotografon dikë të zymtë, me lot në sy, ti përcjell një emocion tjetër. Fotografi është si regjisori që zgjedh se çfarë do të ndajë tek njerëzit, buzëqeshje, lumturi. Pra duhet të shohësh dhe gjëraj që nuk kanë jetë, t’u japësh jetë.

CMG: Çfarë do t’u thoje atyre që na ndjekin?

Kudret Plaku: Doja të shtoja se të gjithë duhet ta kenë këtë libër, pasi të gjithëve na lidh jeta me fotografinë, të gjithë bëjmë foto apo video dhe ky libër mund t’ju vijë në ndihmë. Botimi do vazhdojë sërish sepse 300 kopjet e para kanë mbaruar, pa bërë ende promovimin e librit. Do ketë shitje edhe gjatë promovimit, pasi vazhdojnë kërkesat dhe për këtë jam i lumtur, jo se mendoj për fitimin, por mendoj se njerëzve ju është dashur dhe u duhet ky libër.

CMG: Shumë suksese për librin, por edhe në profesionit tënd të fotografit!

Kudret Plaku: Faleminderit dhe ju për vëmendje dhe suportin që u jepni artistëve të rinj.

Fotografi Kudret Plaku (Foto personale)

Fotografi Kudret Plaku (Foto personale)

Biografi

Fotografi Kudret Plaku ka lindur në Tiranë, më 1 mars 1994  në fshatin Eminas i Vogël, Shijak. Ka kryer studimet e larta në Universitetin "Aleksandër Moisiu", Durrës, ku është diplomuar në degën "Multimedia dhe Televizion Digjital", në Fakultetin Teknologji Informacioni. Ai jeton prej vitesh në Tiranë, ku ushtron profesionin si fotograf, për evente të ndryshme sportive, artistike e politike. Fotografon për reklamimin e bizneseve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, por pasioni i tij më i madh janë fotot me peisazhe në natyrë. Kudreti ka fotografuar portrete nga njerëzit e thjeshtë, deri tek personalitetet e njohura të jetës kulturore, artistike dhe politike në vend. Ndër ta artistë të mirënjohur, politikanë, ambasadorë, ministra, por edhe në nivelet e larta të qeverisë si kryeministra apo presidentë. Ai ka përvojë të gjerë në mësimdhënie, në fushën e fotografisë, për të cilat ka mbajtur seminare dhe kurse të ndryshme. Perveç fotografisë, një ndër pasionet e tij më të mëdha është videografia, ka bashkëpunuar në projekte të ndryshme, ka xhiruar filma, emisione, dokumentarë, që trajtojnë tematika sociale, kulturore, historike etj... Në eksperiencën e tij ai është përfshirë edhe në botën e medias televizive, ka punuar si operator në televizionet e  mirënjohura, si në Shijak TV, Agon Channel, MCN TV dhe në Euronews Albania. Këtë vit Kudret Plaku ka publikuar një libër, për të cilin ka punuar për 2-3 vite, duke i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që pëlqejnë fotografinë, por edhe ata që e kanë pasion dhe duan ta nisin si një profesion në të ardhmen fotografinë.

Intervistoi: Sava Lena