Kryeministri Rama: Autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar asnjë autorizim specifik për eksport mbetjesh të rrezikshme
2024-09-13 14:29:50

Kryeministri Rama (Foto Atsh)

Kryeministri Rama (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar asnjë autorizim specifik për eksport mbetjesh të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar të nisur nga porti i Durrësit.

Në interpelancën e kërkuar nga Partia Demokratike për këtë çështje në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Rama tha se këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në kodin ndërkombëtar detar për mallrat e rrezikshme, shkruan “ATSH”.

Ai theksoi se edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme transporti i tyre në rrugë detare nuk është asesi i ndaluar as nga legjislacioni kombëtar, as nga ai ndërkombëtar.

“Autorizimi që lëshohet për eksport të mbetjeve, qofshin ato të parrezikshme, apo të rrezikshme, ka një afat maksimal 1-vjeçar. Në rast se kompania pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë do të kryejë eksporte të tjera duhet të paraqesë një aplikim të ri pranë dikasterit përkatës, në këtë rast Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Autoritet shqiptare nuk kanë miratuar në këtë rast asnjë autorizim specifik për eksport mbetjesh të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se nuk ka si të ketë miratim nga Tajlanda për ngarkesën në fjalë, kur vetë Shqipëria nuk ka pasur çfarë autorizmi të japë. (Irma)