Kreu i OKB-së: Ajo që po ndodh në Gaza është e papranueshme
2024-09-13 14:56:20

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi të papranueshme situatën në Gaza.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres(Foto nga VCG)

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres(Foto nga VCG)

Në një postim në rrjetet sociale, Guterres bëri të ditur se nga sulmet izraelite në një shkollë të shndërruar në strehë për gati 12.000 persona humbën jetën edhe gjashtë punonjës të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

“Këto shkelje dramatike të së drejtës ndërkombëtare humanitare duhet të ndalen tani”,- tha Guterres, shkruan “ATSH”.

Autoritetet palestineze deklaruan se të paktën 14 persona u vranë në një sulm në një objekt të Kombeve të Bashkuara në Rripin qendror të Gazës.

Stafi i spitalit tha se ata u vranë në incidentin në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Gaza pas sulmit(Foto nga VCG)

Gaza pas sulmit(Foto nga VCG)

Ndërtesa ishte një ish-shkollë e operuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

Zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric, tha se objekti i OKB-së nuk duhet të sulmohet ose të përdoret kurrë nga grupet ushtarake.

Një zëdhënës i Forcave Ajrore izraelite tha se u godit një postë komande dhe kontrolli e Hamasit në Nuseirat, pasi mori masa për të minimizuar rrezikun e dëmtimit të civilëve. (Irma)